UNDP në Kosovë dhe ajo në Seul promovojnë projektin për luftimin e korrupsionit

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 16:20 | Nga

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Qendra e UNDP-së për Politika, Seul, sot kanë promovuar pilot-projektin “Themelimi i Sistemit për Identifikimin e Rreziqeve të Korrupsionit në  Legjislacionin e Kosovës” sipas së cilës dy zyrat do të bashkëpunojnë me zyrtarë të kundër korrupsionit për të zhvilluar kornizën ligjore dhe institucionale për shqyrtimin e legjislacionit dhe eliminimin e rreziqeve të korrupsionit, transmeton Ekonomia Online.

Sipas një komunikate nga UNDP, Un Jong Pak, kryesuese e Komisionit Anti-Korrupsion dhe për të Drejta Civile (ACRC) të Republikës së Koresë, deklaroi se “Vlerësimi i Rreziqeve nga Korrupsioni (VRK) është një nga masat më efikase kundë korrupsionit që Korea ka zbatuar për më shumë se dhjetë vite.

Ky vlerësim është mekanizëm i dobishëm për të parandaluar korrupsionin duke identifikuar dhe eliminuar rreziqet në projektligje si dhe në ligjet dhe rregulloret ekzistuese. Shpresoj që ky sistem të kontriubojë në parandalimin e korrupsionit në Kosovë, siç ka bërë në Kore”.

Zyrtarët nga ACRC-ja koreane do të ndajnë përvojat e tyre të zhvillimit dhe zbatimit të VRK-së me kolegët e tyre në Agjencinë Anti-Korrupsion të Kosovës, si dhe me zyrtarët përkatës në institucionet e tjera të përfshira në procesin legjislativ.

ACRC bashkë me UNDP-në do të ofrojë këshilla, përfshirë edhe trajnime në Kore, kolegëve të tyre në Kosovë derisa ata të zhvillojnë listën e aktiviteteve për të identifikuar rreziqet nga korrupsioni në legjislacion, zhvillojnë amandamentet ligjore dhe përgatisin një sistem efektiv institucional.

“Balazs Horvath, Drejtor i Qendrës së UNDP-së për Politika, Seul, “falenderoi pjesëmarrësit e institucioneve të Kosovës të të gjitha niveleve për praninë e tyre në ngjarjen promovuese. Kjo është një mundësi unike për të bërë bashkë të gjithë akterët nga Korea dhe Kosova, por edhe nga rrjeti global i UNDP-së”.

Un Jong Pak theksoi dhe përshëndeti përkushtimin e partnerëve të Kosovës ndaj këtij projekti.

“Pjesëmarrja juaj përfaqëson një sinjal të fuqishëm se ky pilot-projekt mbi Vlerësimin e Rreziqeve nga Korrupsioni e që po e promovojmë edhe zyrtarisht sot, do të jetë i suksesshëm dhe se përpjekjet e Kosovës për të luftuar korrupsionin, do të sjellin rezultate”.

Kordinatori i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell deklaroi se “UNDP-ja përpiqet të sigurojë qeverisje të mirë duke ndihmuar autoritetet në krijimin e institucioneve transparente dhe llogaridhënëse. Shtresa e parë e transparencës dhe llogaridhënies është korniza ligjore.

UNDP-ja në Kosovë, në bashkëpunim me Qendrën për Politika në Seul, do të sigurojnë që përmes këtij projekti, të krijohet një sistem i fuqishëm dhe i qendrueshëm në bazë të të cilit do të vlerësohet legjislacioni dhe të eliminohet mundësia për korrupsion”.

Ngjashëm, deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe Kryesuesja e Komisionit për Legjislacion dhe Mbikqyrje të Agjencisë Anti-Korrupsion,Albulena Haxhiu, deklaroi se “jemi të kënaqëur që përmes këtij projekti do të jemi në gjendje të mësojmë nga përvojat e modelit korean për shqyrtimin e legjislacionit, me qëllim të eliminimit të rreziqeve nga korrupsioni dhe të marrim mbështetje për të zhvilluar një model të tillë edhe në Kosovë”.

Derisa drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion të Kosovës, Shaip Havolli, rikonfirmoi se “Ky është hap i domosdoshëm që Kosova duhet të bëjë, të ndërtojë këtë sistem dhe ne u jemi mirënjohës kolegëve tonë në Kore për vullnetin dhe këshillat për ta ndërtuar një të tillë në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Që nga viti 1963 deri në vitin 2009, UNDP ka mbështetur popullin dhe Qeverinë e Koresë, me zbatimin e 270 projekteve zhvillimore në 20 fusha të ndryshme. Zyra e UNDP-së është mbyllur në vitin 2009, me anëtarësimin e Koresë në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Komitetin për Ndihmë Zhvillimore (DAC), duke kofnirmuar statusin e saj si kontribues i rëndësishëm në ndihmën zhvillimore.

Më 2011, UNDP themeloi Qendrën e Politikave në Seul (USPC) me objektivën e realizimit të partneriteteve të reja midis Koresë dhe botës në zhvillim, përmes rrjeteve të UNDP-së. Partneriteti për Zhvillimin e Zgjidhjeve të UNDP-së në Seul, është një nga programet më të rëndësishme të USPC-së, nisur më 2014, ku anti-korrupsioni përbën një nga fushat kyçe të punës aktuale të USPC-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme