UNICEF dhe UBT do të themelojnë qendrën e përbashkët të inovacionit

Prishtinë | 07 Sht 2017 | 17:43 | Nga

UNICEF dhe UBT kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të themelimit të Qendrës Ndërkombëtare të Inovacionit Social (International Social Innovation Center), e cila si synim kryesor do të ketë ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e ideve inovative nga të rinjtë, me qëllim të zgjidhjes së problemeve të komunitetit.

ISIC synon që të krijojë vlera të përbashkëta, duke bashkuar njohuritë dhe kapacitetet në krijimin e një procesi për zgjidhjen e problemeve sociale duke e rritur shkallën e inovacionit mes akademisë , industrisë, organizatave shoqërore civile, sektorit të biznesit, dhe komunitetit.

Krahas kësaj, kjo qendër do të ofrojë hapësirë dhe qasje të avancuar në zhvillimin e njohurive të të rinjve dhe përdorimin e tyre për jetë dhe punë, pastaj zhvillimin e mendimit kreativ, inovacionin social, dhe ndërmarrësinë për studentët dhe të diplomuarit e UBT-së dhe institucioneve tjera akademike në Kosovë dhe Ballkan.

I entuziazmuar me themelimin e ISIC-it dhe me bashkëpunimin me UBT-në, nënkryetari i zyrës së organizatës UNICEF në Kosovë, James Mugaju, vlerësoi se qëllimi kryesor i kësaj qendre do të jetë lidhja e nivelit akademik me komunitetin, për të krijuar ide dhe projekte sociale për komunitetin, ku edhe shtoi se UNICEF është shumë i interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me UBT-në.

“Akademia ka qenë gjithmonë larg komunitetit dhe kjo qendër nuk do të sjellë vetëm njohuri, por edhe lidhje me komunitetin, duke i shtyrë dhe të rinjtë që të bëhen inovatorë socialë dhe duke bërë që ata të kontribuojnë në prosperitetin e vendit”, tha Mugaju.

Tutje, ai shtoi se ISIC është një mundësi e shkëlqyer për angazhimin e komunitetit për të arritur më shumë adoleshentë dhe të rinj dhe për t’i pajisur ata me aftësi të shekullit XXI, për zgjidhjen e problemeve sociale, sipërmarrjen, zgjidhjet digjitale dhe shkrim-leximin.

“Qëllimi ynë përfundimtar është të sigurojmë që askush të mos mbetet prapa dhe të rinjtë janë më të përgatitur për të kontribuar në prosperitetin social dhe ekonomik të vendit të tyre”, përfundoi Mugaju.

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se kjo marrëveshje do të jetë një ndihmesë e madhe për zgjidhjen e problemeve të komunitetit, por edhe për zhvillimin dhe rritjen akademike të të rinjve.

“Kjo qendër është një iniciativë tejet e qëlluar për bashkimin e studentëve dhe të rinjve tjerë që kanë potencial për të gjeneruar ide inovative në të mirë të komunitetit”, theksoi Hajrizi, i cili shtoi se, “UBT do ta përkrahë me çdo kapacitet këtë ide, duke qenë se inovacionet dhe shfrytëzimi i tyre në dobi të qytetarëve janë fokusi ynë kryesor”.

Duke qenë se inovacioni është pjesë strategjike e UBT-së, si dhe duke i pasur në dispozicion të gjitha drejtimet dhe kushtet praktike për krijimin e një qendre të inovacionit, në këtë bashkëpunim UBT do të kontribuojë duke ofruar qasje akademike në inovacion, të bazuar në hulumtim, infrastrukturë moderne për inovacion dhe laboratorë të avancuar, që ndihmojnë në zhvillimin e ideve sociale në prototipe dhe produkte ose shërbime, trajnime të ofruara nga instruktorë me përvojë, bashkëpunime strategjike me partnerë qeveritarë dhe joqeveritarë lokalë dhe ndërkombëtarë, si dhe kapacitete për komercializimin e iniciativave sociale, që mundësojnë implementimin dhe qëndrueshmërinë e zgjidhjeve inovative sociale.

Të ngjashme