Plani pesë vjeçar i punës në UNICEF, ka tri prioritete, ku përfshihen investimet në rininë, programet inovative dhe pasaporta mësimore.
Zyrtarja për Komunikim dhe Partneritet në UNICEF, Dafina Zuna-Hoxha, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se do të digjitalizohen disa prej programeve të UNICEF në Kosovë dhe do të jenë të gatshme të absorbohen nga të rinjtë e botës.
“UNICEF bënë gjithmonë plane 5 vjeçare. Nga viti 2021 deri në vitin 2025 kemi tri prioritete, të cilat janë investimi në rini, programet inovative të cilat veç i kemi dhe ‘Pasaporta Mësimore’ të cilin së fundi e kemi lansuar, ku do të digjitalizohen disa prej programeve të UNICEF në Kosovë dhe do të jenë të gatshme të absorbohen nga të rinjtë e botës”, ka thënë ajo.
Teksa ka folur për këtë mundësi, Zuna-Hoxha, u shpreh se prioritet tjetër i tyre është zhvillimi në rininë të hershme.
Për EO, ka thënë se gjatë kohës së pandemisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kanë arritur ta krijojnë një platformë online për zhvillimin e rinisë së hershme dhe prioriteti i tretë janë fëmijët me nevoja të veçanta.
“Prioriteti tjetër është zhvillimi i rinisë së hershme, ku UNICEF do të punojë nëpër çerdhe me familje. Gjatë kohës së pandemisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kemi arritur të krijojmë një platformë online për zhvillimin e rinisë së hershme dhe prioriteti i tretë janë fëmijët me nevoja të veçanta”.
“I kemi këto pesë kërkesa që në këto 5 vite presim që të realizohen dhe duhet të revidohen ligjet konform kërkesave të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të krijohet një infrastrukturë e cila është e qasshme për këta fëmijë dhe të rritet numri asistent nëpër shkolla, ku gjithsej janë 120 mësues asistent për këtë kategori”, u shpreh ajo.
Në bazë të këtij prioriteti, thotë se fëmijëve me nevoja të veçanta, do t’iu ofrohet transport për të shkuar në shkollë.
Ajo thotë se për këtë, do duhej ndihmë edhe nga Ministria e Financave, raporton EO.
“Këtyre fëmijëve duhet të ju ofrohet transport për të shkuar në shkollë. Nëse kemi një avokim adekuat tek ligjvënësit e sidomos tek Ministria e Financave dhe nëse mund të ndodhë që një përqindje e buxhetit të alokohet besoj që këto kërkesa pas një viti edhe do të mund të realizohen”.
“Nuk mund të presim realizim të shpejt por brenda 3 deri 4 vjet t’i prekim disa prej rezultateve që mund ti arrijmë si shoqëri për këtë kategori”, u shpreh ajo.