Unitet brenda diversitetit? E ardhmja e projektit europian

Prishtinë | 02 Pri 2017 | 10:15 | Nga Ani Ruci

Reflektime në Tiranë për të ardhmen e BE në kuadër të 60 vjetorit të Traktatit të Romës. Zvarritjen e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, deputetja Majlinda Bregu e sheh si gabim të madh të BE.

Dera mbetet e hapur për të gjitha vendet që duan t’i bashkohen BE. Me këtë deklaratë të vjetër në një situatë të re, të shënjuar nga rritja e euro skepticizmit, përfundoi dje (31/03/20179 në Tiranë, konferenca “60 vjet të Traktatit të Romës – ҫfarë të ardhme ka projekti evropian?” organizuar nga Presidenca Malteze e Këshillit të BE, që ka si prioritet kthimin e besimit tek BE dhe nxitjen e reflektimeve mbi të ardhmen e tij.

Elly Schlein, euro-parlamentare, zv. kryetare e Delegacionit të Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asocimin BE-Shqipëri, pjesëmarrëse në ketë konferencë, e cilësoi situatën aktuale në BE ” si krizën më të madhe që nga krijimi i tij, 60 vjet më parë me Traktatin e Romës. Ekziston rreziku i shpërbërjes” dha ajo alarmin nga Tirana. Që kjo të mos ndodhë “BE duhet të përballojë sfida globale dhe evropiane, edhe atë të zgjerimit me vende të reja, mes të cilave ato të Ballkanit Perëndimor; ( BP) ”theksoi Elly Schlein.

Moscaktim i kohës për integrimin e BP- gabim i madh i BE

Si do të jetë e arkitektura e BE që të përballojë sfidat europiane dhe globale? “27 vendet anëtare kanë ide të ndryshme për atë se si duhet të jetë BE në të ardhmen. Nje pjesë duan të thellojnë integrimin e tyre në BE dhe të rrisin ritmet e tij, të tjerë jo”, tha Dr. Loreno Vai, studiues në Institutin për Çështje Ndërkombëtare, me seli në Romë.

Në këtë situatë paqartësie po gjen përherë dhe më shumë terren koncepti i euro-skeptikëve, ai i integrimit të diferencuar të vendeve anëtare të BE ose ndryshe i ” unitetit brenda diversitetit”. Dr. Loreno Vai prezantoi rezultatet e projektit ”EU60 – Rikrijim i Evropës.

BE duhet të mos harrojë Ballkanin Perëndimor

Përgjegjësia për të propozuar” ku shtjelloi konceptin e integrimit të diferencuar duke sjellë si ilustrim faktin që vetëm 19 vende të BE janë në eurozonë apo që jo të gjitha vendet anëtare janë në zonën Schengen, që vendet aspirante për anëtarësim mund te kenë forma të ndryshme të bashkëpunimit me BE përmes marrëveshjes të ndryshme.

Por Majlinda Bregu, deputete e PD dhe kryetare e komisonit parlamentar për integrimin evropian, e pranishme në këtë konferencë kishte këndvështrim tjetër. Ajo këmbënguli që BE ” duhet të çojë përpara procesin e integrimit të vendeve të BP” dhe koncepti i integrimit të diferencuar ose me dallime duket se nuk është i mirëpritur nga vendet e rajonit pasi ata aspirojnë integrimin. Në Shqipëri 95% e qytetarëve janë pro integrimit europian pasi në vetëdijen e tyre progresi në procesin e integrimit i shërben njëherazi luftës kundër korrupsionit, bërjes drejtësi, largimit të elitave politike të korruptuara, rritjes së mirëqënies dhe emancipimit të shoqërisë.

” Integrimi evropian është një motor i fuqishëm në Shqipëri dhe vendet tjera aspirate për ndryshime të brendshme në secilin  vend. Është gabim i madh që BE nuk përcakton një datë për hapjen e negociatave dhe një kohë për anëtarësim të plotë të BP, por e zvarrit procesin” theksoi Majlinda Bregu.

Rritje ekonomike dhe stabilitet politik jashtë BE?

Që në vitin 2014 kur me nismën e kancelarës gjermane Angela Merkel filloi Procesi i Berlinit për t’i dhëne impulse të reja procesit të integrimit evropian përmes bashkëpunimit 6 vendet aspirante të BP kanë ecur përpara në këtë bashkëpunim. Muajin e kaluar, në Samitin e Sarajevës, Komisionari për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Johannes Hahn, prezantoi nismën e krijimit të tregut të përbashkët rajonal si një instrument rritjen ekonomike dhe stabilitetin politik në rajon. Që të dyja, si rritja ekonomike, ashtu edhe stabiliteti do të arrihen në kushtet kur BE as nuk u kthen kurrizin 6 vendeve të BP por as nuk pranon një anëtarësim të tyre të parakohshëm, përqasje që duket si një nga format e reja të bashkëpunimit mes BP dhe BE.

Evropa mitike  dhe Evropa reale

Është e qartë që projekti evropian duhet të qëndrojë në këmbë në një realitet të ndryshëm nga ai, kur BE u krijua me 6 vendet e para evropiane që themeluan BE: Belgjika, Franca, Gjermania, Italia dhe Hollanda. Sfidat e sotme nuk janë ato të 65 viteve më parë kur BE u themelua. Sot kemi lëvizjet populiste, forcat ekstreme të djathta, kërcënimet terroriste, krizën e emigrantëve, stanjacionin ekonomik në disa vende anëtare. Dr. Albert Rakipi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit shqiptar për Studime

Ndërkombëtare, bashkorganizator i konferencës thotë për DW se projekti evropian mund dhe duhet të ketë të ardhme. “Përherë ka ekzistuar dhe ende ekziston ekziston një Evropë mitike dhe një Evropë reale. Bashkimi Evropian i ka ndihmuar te dyja, edhe Evropën mitike edhe atë reale. Qysh nga themelimi i BE ka patur përpjekje këmbëngulëse për të afruar Evropën si një mit me Evropën si një realitet. Fuqia e jashtëzakonshme tërheqëse e Evropës, pushteti i Evropës qëndron ndoshta në këtë bashkëjetesë të mitikes, magjikes me realen.

Çdo dobësim i BE, dobëson këtë marrëdhënie midis mitit dhe realitetit,  që ka prodhuar paqe zhvillim, ka forcuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Edhe pse kohet e sotme duken ndryshe, të pangjashme me  kohën kur Robert Schuman dhe baballarët e tjerë të BE e  themeluan  atë… kërcënimet ndaj BE kanë të bëjnë përsëri me paqen zhvillimin, liritë, përparimin”.(dw)

 

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme