Ushqimi i fëmijëve të moshës 3-6 vjeç

Prishtinë | 22 Kor 2018 | 09:25 | Nga

Çdo fëmijë ushqehet ashtu se si ne prindërit u servojmë ushqimin. Ata ushqehen ashtu siç ushqehemi dhe ne. Për këtë arsye duhet t’i mësojmë dhe të përcjellim tek ata rregulla dhe shprehi të mënyrës së shëndetshme të ushqimit. Ushqimi i shëndetshëm do të jetë shtyllë e shëndetit të fëmijës suaj.

Çdo fëmijë i kësaj grupmoshe ka bioritmin e tij ditor dhe sistemin e tij të ushqimit. Shkencëtarë të shumtë me punimet e tyre kanë dëshmuar se fëmijët nga mosha 3 vjeçe deri tek mosha parashkollore bëjnë seleksionimin e ushqimeve të ndryshme e me këtë rast krijojnë dhe aversion ndaj këtyre ushqimeve.

Të gjitha këto duke shikuar prindërit e tyre, të cilët në tavolinat e tyre largojnë apo imponojnë ndonjë grup apo lloj të ushqimeve. P.sh. nëse një nënë ka aversion ndaj kërpudhave, atëherë ajo me apo pa vetëdije largon nga menyja kërpudhat.

Gabim katastrofal! Kërpudhat janë zëvendësim ideal për mishin dhe janë proteinë me prejardhje bimore. Definitivisht janë zëvendësim për mishin të cilat përmbajnë të gjitha yndyrat sikurse dhe mishi dhe janë shumë më të shëndetshme se mishi.

Fëmijët shprehitë e ushqimit dhe kulturën e të ushqyerit e marrin pikërisht në këtë moshë. Sistemi i tyre imunitar formohet mu në këtë moshë. Pavetëdije shprehitë tona ndaj ushqimit i përcjellim tek ata.

Si duhet të duket shujta e një fëmije?

Më së miri është që ushqimi i fëmijës të fillohet me një gotë lëng të shtrydhur të pemëve apo perimeve (gjithmonë të zbutur me pak ujë) dhe me një lugë mjaltë apo maltex (ekstrat i nxjerrë nga elbi). Më pas fëmijës i jepni së paku katër lloje të pemëve sezonale.

Dhe më pas i jepni drithëra në të cilat do të ketë dhe pemë të thata/terura apo i jepni mëngjesin e tij të preferuar. Por assesi nuk bënë t’ jepni produkte të konservuara, si p.sh. pasteta, virshlle/salsiçe, margarine, vezë të fërguara, sallame, majonezë, eurokrem, etj.

Në çdo rast, mëngjesi duhet të jetë i payndyrshëm dhe pa fërgesa. Mund të jetë bukë me gjalpë të vajit të ullirit me mjaltë, pekmez shtëpie, sallatë e freskët etj. Në vend të qumështit provoni t’i jepni BIO jogurt (jogurt me përmbajtje të AB kulturës). Për zamër (mes shujtë) duhet t’i jepni diçka të lehtë në mënyrë që barku i tij të mos jetë i mbushur për shujtën e radhës që është dreka.

Dreka është shujta kryesore e fëmijës tuaj. Kuzhina jonë dallohet me ushqime të pasura dhe të mira. Në qoftë se do të bëni menynë javore, atëherë do të vini në përfundim se gjatë 30 ditëve, në asnjë ditë nuk do t’ju përsëritet ushqimi. Kjo do të thotë se në menynë tuaj duhet të përfshihet peshku, mishi kualitativ, kërpudhat, thjerrëzat, fasulja, bizelja, soja, bishtaja (borania), misri, palenta (kaçamaku), pitja, meli, etj. Çfarëdo ushqimi që do të përgatitni gjithmonë duhet shoqëruar me sallatë të freskët. Sallatat duhet të jenë të freskëta, të begatshme dhe të llojllojshme.

Mos harroni të përdorni dhe perime rrënjore se ato janë burim i energjisë dhe i jetës. Mësoni fëmijën tuaj të ha rrepën e kuqe, dajkonin (e cila duket sikurse karotë, por e bardhë), selino, trupin, pashkanatin, rrepat e vogla, etj. Pra, të gjitha perimet që janë rrënjë. Sallata nuk duhet të jetë vetëm domate, trangull dhe spec.

Ushqimi i fëmijëve nuk duhet të ketë ushqime të fërguara të tipit të fast food dhe ushqime me shumë mëlmesa. Ushqimi duhet të jetë i zier në formë të ‘qorbave’ dhe mësojini të haj këtë lloj të ushqimit. Shtylla e ushqimit është pikërisht në këtë moshë. Aversionet ndaj bizeles, bishtajave e thjerrëzës, formohen pikërisht në këtë moshë. Mos bini në grackë të këtyre “hireve” dhe të eliminoni nga menyja nutritivë të caktuar.

Bëhuni rezistentë dhe insistues me ato lloje të ushqimeve që nuk i duan. Mësojini që në vend të ngrënies së patatinave, etj. të hanë bajame (badem), arra, lajthia, fara të lulediellit apo të kungullit, por gjithmonë të papjekura. Më besoni, që efekti është gjithmonë më i mirë dhe më i shëndetshëm.

Mos e qerasni fëmijën tuaj pas drekës me ëmbëlsira apo torte të ndryshme. Nëse e kanë ushqimin e bollshëm dhe të kombinuar mirë, atëherë nuk ka nevojë për desert. Desert mund të jetë dhe një gotë lëngu i shtrydhur nga pemët apo perimet. Nëse me pyetni se a duhet t’i jepet dhe bukë gjatë drekës, atëherë përgjigjja ime është PO – kuptohet, nëse ka nevojë për të.

Buka duhet të jetë integrale nga drithëra të ndryshëm dhe assesi e bardhë dhe të jepet me bizele, bishtaja, thjerrëza, fasule etj., pra të jetë në kombinim me karbohidrate dhe assesi me proteina (si peshk, mish, ve, produkte të qumështit). Kjo do të thotë se duhet të respektohet mospërzierja e nutitivëve – pra të mos kombinohen në një shujtë karbohidratet me proteinë. P

ra, mundohuni që dreka e fëmijës tuaj të jetë e llojllojshme, e begatshme dhe gjithmonë me sallatë të freskët.

E çka për darkë?

Darka duhet të jetë e ndryshme nga dreka. P.sh. nëse për drekë i keni dhënë proteina (peshk apo mish), atëherë për darkë le të jetë ndonjë karbohidrat apo e kundërta. Edhe darka sikurse dhe dreka duhet të shoqërohen me sallatë të freskët. Nuk duhet të jetë e ngarkuar me ushqime të rënda pasi që dhe fëmija me ushqim më të lehtë do të ketë dhe gjumë më të lehtë.

Përkujdesuni që dhe nutritivët t’i mundësojnë gjumë të këndshëm dhe të mirë.

Çfarëdo këshille që t’u jap, ju më së miri i dini nevojat dhe kërkesat e fëmijës tuaj. Si prindër të gjithë mundohemi t’i edukojmë fëmijët tanë në mënyrë të drejtë të jetës dhe ushqimit. Mineralet dhe vitaminat duhet t’i marrin çdo ditë të freskëta përmes pemëve dhe perimeve dhe lëngjeve të shtrydhura.

Mundohuni të anashkaloni ushqimet e konservuara dhe me koncentrate.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme