Në kuadër të procesit të ristrukturimit të brendshëm të Aleancës Kosova e Re, sot janë mbajtur dy Kuvende Zgjedhore.
Me një pjesëmarrje masive dhe interesim të dukshëm për anëtarësim në AKR, sot në Drenas është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i degës së partisë në këtë Komunë.
Në prani të 180 delegatëve nga procesi i rregullt zgjedhor, unanimisht Kryetar i degës së AKR-së në Drenas është zgjedhur Elmi Thaçi, ndërsa nënkryetarë Xhevdet Kastrati dhe Hateme Hoti, si dhe Hysni Neziri sekretar.
Kryetari i ri i AKR-së në Drenas duke i falënderuar delegatët tha para tyre se, bashkë me AKR-në ai do t`jua kthejë pushtetin qytetarëve të Drenasit.
“Në Drenicë po fillon ndryshimi, ky ndryshim vjen me AKR-në dhe me Presidentin Behgjet Pacolli” ka thënë ndër të tjera Thaçi.
Në emër të Presidentit të partisë, punimet e këtij Kuvendi i përshëndeti edhe koordinatori i zgjedhjeve në AKR Vesel Makolli, ndërsa i pranishëm në Kuvend përveç mysafirëve të shumtë ishte edhe
Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili tha se ai asnjëherë nuk i ka harruar drenicasit dhe se AKR-ja nuk do të lejojë më që Drenica të udhëhiqet nga të paditurit.
Edhe dega e Aleancës Kosova e Re në Prizren, ka mbajtur sot Kuvendin Zgjedhor të Forumit të Gruas në këtë Komunë, ku morrën pjesë qindra gra. Në prani të 200 delegateve, nga procesi i rregullt zgjedhor, Kryetare e Forumit të Gruas në Prizren, me shumicë votash është zgjedhur Violeta Thaçi.
Në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja Thaçi para anëtarësisë së AKR-së në Prizren tha se, së bashku me AKR-në dhe Presidentin Pacolli, do të kemi mundësi që t`ju dalim ballë problemeve.
Kuvendin e përshëndeti edhe koordinatorja e Forumit të Gruas në nivel qendror, Mirlindë Gashi, e cila në emër të Presidnentit Pacolli i uroi sukses kryetares së sapozgjedhur si dhe Forumit të kësaj Dege.
Përveç mysafireve të shumta të pranishëm në këtë Kuvend ishin edhe koordinatori i degës së AKR-së në Prizren Osman Krasniqi, drejtori për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës Besart Vllahinja si dhe shumë mysafirë të tjerë të cilët kishin ardhur t’i ndjekin punimet e Kuvendit nga afër.