Vdekja e katërvjeçares nga Gjakova, ishte temë diskutimi ndërmjet Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me krerët e shëndetësisë kosovare, raporton Ekonomia Online.
Aty u kërkua sqarime nëse mjekët e kanë neglizhuar këtë rast por që u mohua nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Vitia tha se pacientja është diagnostikuar me SEPS.
Vitia para anëtarëve të komisionit tha se sipas raporteve nga Spitali i Gjakovës dhe QKUK dhe ekzaminimeve që janë bërë, nuk bëhet fjalë për shenja dhune tek vajza e cila ka ndërruar jetë, ashtu siç kanë pretenduar prindërit e saj.
Çdo pretendim që çdo veprim ndryshe, ka mund të kishte një epilog tjetër, sipas tij për momentin është vetëm spekulim.
“Është diagnostikuar me Seps. Për diagnozën përfundimtare duhet t’i presim dhe rezultatet e fundit të hetimeve që kanë nisur. Kjo lloj e Sepses që është infeksion i rëndë i gjakut dhe se vdekshmëria është shumë e lartë. Sipas raporteve dhe bisedave me profesionistët e fushës që i kanë trajtuar pacientët s’ka shenja që ka pasur shkaktarë të jashtme që e kanë rënduar gjendjen e pacientës. Shkaktari dhe pse duhet t’i presim rezultate përfundimtare, duket që ka qenë një bakterie që gjendet në hundë, dhe me rënien e imunitetit mund të shkaktojë diagnozë të tillë të rëndë që në raste jo të rralla është vdekjeprurëse. Për momentin çdo pretendim të diagnostikimit me kohë është sfidë për mjeksisë. Këtë do ta vertetojnë hetimet. Por çdo pretendim tani që çdo veprim ndryshe se ka mund të jetë epilog tjetër për momentin qëndron vetëm si spekulim”, ka thënë Vitia.
Vitia tha se megjithëse dhe ai vet në fillim kishte doza dyshimi, sipas raporteve të deritanishme nuk është evidentuar se bëhet fjalë për neglizhencë.
“Kur e kam marrë lajmin edhe unë kam pasur doza dyshimi, që mund të bëjë me neglizhencë potenciale. Kjo vjen dhe për shkakun se përkunder angazhimit të profesionistëve shëndetësore, nuk mund të mohojmë faktin se ka pasur dhe ka raste të tilla në sistemin tonë shëndetësor. Por siç e dalloni raportet paraprake nuk kanë evdientuar ende se bëhet fjalë për neglizhencë të qëllimshme apo të çfarëdo lloji”, tha ai.
Ndërsa ka treguar në hollësi se si është trajtuar 4 vjeçarja në Spitalin e Gjakovës dhe QKUK.
“Sipas raportit pacientja nga momenti i pranimit në Spitalin e Gjakovës është ekzaminuar nga shtatë mjekë nga lëmit të ndryshme dhe se nuk dihej qartë shkaku i gjendjes. Nga ekzaminimet e mjekëve nuk paraqiteshin shenjat e dhunës siç thonin prindërit. Ajo është transferuar në QKUK me autoambulantë. Gjatë 14 orëve që është trajtuar në spitalin e Gjakovës është vizituar nga shtatë mjekë. Gjatë trajtimit në spital janë bërë shumë ekzaminime. Pas të gjitha ekzaminimeve sipas raportit është e qartë se nuk është evidentuar asnjë shenjë dhune që do të rrezikonte jetën e saj. Ajo pastaj është referuar në QKUK, ku kanë vazhduar ekzaminimet dhe trajtimi i duhur”, tha Vitia.
Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi shpjegoi kronologjikisht ngjarjen se si ka ndodhur, duke thënë se pacientja 4-vjeçare nuk ka pasur shenja dhune. Tha se gjendja e pacientes ka qenë e rëndë kur është transferuar në QKUK.
Shtoi se pacientja ka marrë trajtimin e nevojshëm në spitale rajonale si dhe në QKUK.
Në këtë komision i ftuar ka qenë edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, por nuk ishte prezent.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka pyetur Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia se cila ka qenë arsyeja që nuk janë trajtuar si temë diskutimi edhe disa raste të rënda që kanë ndodhur muajve më parë.
Haxhiu pyeti se nuk ka pas tryezë edhe për rastin e vdekjes së gruas para QKUK-së, për rastin e futjes së fëmijës në lavatriçe në Spitalin e Pejës, gjithashtu pyeti se përse nuk ka pasur një diskutim për djegien e pacientit në klinikën e psikiatrisë.
Deputeti shtoi se duhet të trajtohen të gjithë të barabartë.
Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku, kundërshtoi deklaratën e deputetit, Bekim Haxhiu se nuk janë marrë masa rreth ngjarjeve të ndjeshëm që kanë ndodhur më herët.
Bazuar në ngjarjen e ndodhur në Pejë, pra futja e fëmijës në lavatriçe, Kollçaku tha se nuk pajtohet me mendimin e Haxhiut se nuk janë marrë masa për faktin se është shkarkuar drejtori mjekësor dhe drejtori për infermieri.
“Nuk pajtohem me deputetin Haxhiu, për faktin se janë shkarkuar persona”, tha Kollçaku, duke mos marrë një replikë nga deputeti Bekim Haxhiu.