Vdes edhe një kosovar nga Coronavirusi, viktima e katërt

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Një 55-vjeçar nga fshati Sazli i komunës së Ferizajt, ka vdekur gjatë ditës së hënë në QKUK, ndërkohë rezultati i analizës për Covid-19 ka dal sot dhe është pozitiv.

Në Spitalin Rajonal të Ferizajt kanë thënë se janë vetizoluar stafi të cilët kanë pasur kontakt me pacientin një ditë më parë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ende nuk e ka konfirmuar rastin zyrtarisht, e nëse konfirmohet atëherë totali i të vdekurve në Kosovë shkon në katër.

Drejtori i këtij spitali Jeton Zeqiri, ka thënë për KOHËN se pacienti gjatë së hënës nuk kishte temperaturë, por kishte gjendje kardiorespiratore dhe është monitoruar për gjysmë ore në spitalin e Ferizajt, e më pas është dërguar në Prishtinë pas përkeqësimit të gjendjes.

“Pacienti ka ndërruar jetë dje në Prishtinë, ndërkohë i është bërë testi i virusit dhe sot ka rezultuar pozitiv. Ne si Spital, sot e kemi marrë këtë konfirmim nga niveli qendror, ndërkaq mjeku, infermieri dhe shoferi i autoambulancës të cilët kanë pasur kontakt me këtë pacient janë vet-izoluar”, ka thënë Zeqiri.

Sipas tij, instituti është duke u marrë me familjarët e pacientit, ndërkohë janë duke pritur që fshati Sazli i komunës së Ferizajt të futet në Karantinë.

“Personi që tashmë ka ndërruar jetë nuk ka qenë jashtë vendit, ndërkohë instituti po merr informata nga familjarët e tij”, ka thënë Zeqiri.

Të ngjashme