Vdes gruaja britanike që i ishte ekspozuar Noviçokut

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 09:30 | Nga

Policia britanike ka njoftuar për vdekjen e një gruaje që ishte sëmurë, pasi i ishte ekspozuar agjentit nervor, Noviçok, afër vendit ku ishte helmuar me po të njëjtën substancë, ish-agjenti rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia.

Policia e Londrës ka thënë përmes një deklarate se Dawn Sturgess, 44 vjeçare, nënë e tre fëmijëve, ka vdekur në spital më 8 korrik, pasi i ishte ekspozuar Noviçokut.

Policia po ashtu ka thënë se vdekja tani është duke u hetuar si vrasje.

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se është e “shokuar” për vdekjen e Sturgess.

“Polica dhe zyrtarët e sigurisë janë duke punuar me urgjencë për të zbuluar faktet e këtij incidenti, i cili tashmë po trajtohet si vrasje”, ka thënë ajo në Twitter.

Udhëheqësi i sektorit kundërterrorizëm në Britani, Neil Basu, e ka cilësuar lajmin për vdekje si “shokues dhe tragjik”.

“Dawn ka lënë mbrapa familjen e saj, duke përfshirë tre fëmijë andaj mendimet dhe lutjet tona janë me ata, në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë”, ka thënë ai.

Autoritetet britanike kanë thënë se Sturgess dhe i dashuri i saj 45 vjeçar, Charlie Roëley, ishin gjetur pa ndjenja në Eimsbëri më 30 qershor, më pak se 20 kilometra nga Sallsbëri, vend ku ishin helmuar Skripalët në muajin mars.

Rowley vazhdon të jetë në gjendje kritike në spital.

Policia është duke vazhduar të hetojë rreth asaj se si dy personat i janë ekspozuar toksinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme