Ministri i Punëve të Brendshme njëherësh nënkryetar në LDK, Agim Veliu, thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk di të bëjë veprime të mençura për shtetin, sipas tij, kjo parti vetëm di t’i sulmojnë institucionet e vendit me molotov.
Gjatë një bisede për Gazetën Express, ish-kryetari i Podujevës për disa mandate rresht, thotë se kandidati i LVV-së Shpejtim Bulliqi, është uzurpator dhe shtëpinë e banimit e ka të ndërtuar në pronë të komunës.
Këto komente Veliu i dha pasi javën që lam pas kundër tij dhe dy ish-drejtorëve të tij, dega e LVV-së në Podujevë ka iniciuar kallëzim penal për “ndërtime të egra”.
Ministri Veliu tha se nuk merret me veprimet e LVV-së pasi sipas tij, partia e Albin Kurtit merret me shpifje e akuza.
“ S’merrna me komente të veprimeve të tyre fare, po çfarë akuzash ata, ata nuk dinë kurgjë tjetër të bëjnë, vetëm shpifje e akuza, ata kurfarë veprimi të mençur nuk dinë të bëjnë për këtë vend e për këtë shtet. Vetëm dinë të bëjnë akuza e gënjeshtra, dinë me i sulmu institucionet e shtetit me molotov e me ato që i kanë sulmuar”, tha Veliu.
Ai tha se LVV e akuzon atë, por thekson se kandidati i kësaj partie për të parin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është uzurpator sepse e ka ndërtuar shtëpinë në pronën e komunës.
“Ata akuzojnë dikë, a e kanë kandidatin e tyre uzurpator të pronës publike, ai e ka ndërtu shtëpinë në pronën e komunës, edhe qysh janë qytetarët të sigurtë që ai do t’i mbrojë interesat e komunës, kur ai është uzurpatori vet”, tha më tej Veliu.
Për këtë çështje ai tha se janë procedura që duhet iniciuar komuna, teksa e theksoi edhe njëherë se shtëpia e Bulliqit është e ndërtuar në pronën publike të komunës së Podujevës.
“Sigurisht ato janë procedura që komuna duhet me i iniciu, ai me një debat e ka mohu, por tatimi në pronë dhe gjithë dokumentacioni e vërteton që shtëpia është e tij e ndërtuar në pronën e Komunës, ai është munduar mirëpo e vërteta është që ai, po e theksoj edhe njëherë shtëpinë e banimit e ka të ndërtuar në pronën e komunës”, tha Veliu për Gazetën Express.
Tutje, Veliu parashikoi se LDK do ta fitojë sërish Podujevën, teksa shton se kjo do të ndodh në “raundin e parë”.
“Jam i bindur që LDK prap do ta udhëheq Komunën e Podujevës sepse ka qeverisë mirë, deri më sot nuk e ka asnjë aferë korruptive e as shkelje ligji, as dëmtim të pasurisë së shtetit, as pronës, përkundrazi kandidati i tyre është uzurpues dhe ka ndërtu shtëpi në pronën e komunës”, përfundoi Veliu.
Lëvizja Vetëvendosje dega në Besianë, të enjten ka dorëzuar kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Besianës, Agim Veliu, ish-drejtorit të planifikimit urbanistik Durim Salihu dhe ish-drejtoreshës së Inspekcionit Florie Besholli, kallëzimi penal ka të bëjë me ndërtimet e egra në këtë komunë.
Kështu bëri të ditur njëri nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, në një paraqitje para mediave.
“Kemi dorëzuar kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Besianës Agim Veliu, së bashku me dy vartësit e tij, ish-drejtorin e planifikimit urbanistik Durim Salihu dhe ish-drejtoreshës së Inspekcionit Florie Besholli, kallëzimi ka të bëjë me ndërtimet e egra në Komunën e Podujevës”, tha përfaqësuesi i LVV-së.
“Ne fillimisht kemi dërguar një kërkesë me tri pyetje në Drejtorinë e Planifikimit Urbanistik dhe në bazë të përgjigjes që kanë dhënë kemi vërejtur se dy ndërtime janë në kundërshtim me rregulloren e planit urbanistik”, shtoi ai.
Tutje aty u tha se ka shkelje flagrante të planit urbanistik në Komunën e Podujevës.
Teksa u kërkua nga prokuroria të iniciojë rastin dhe Gjykata të nxjerrë një aktgjykim të merituar për personat në fjalë.