Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu së bashku me zëvendësministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Vezir Januzi, kanë vizituar dy bletarë në fshatin Tërrnavicë të Podujevës, Hilmi Syla dhe Esat Deda, kur edhe zhvilluan vjeljen e parë të mjaltit për këtë sezon.
Gjatë vizitës te bletari Syla, kryetari Veliu edhe njëherë ka konfirmuar gatishmërinë e tij të plotë për kujdes dhe rritje të përkrahjes për fermerët llapjanë në të gjithë sektorët, duke përmendur sektorin e bletarisë në veçanti
“Komuna e Podujevës vitin që shkoi ka ndarë nga 10 shoqëri bletësh për 100 bletarë, por duke parë interesimin e fermerëve që të merren me bletari, kemi vendosur që edhe këtë vit të vazhdojmë me subvencionimin e bletarëve”, tha kryetari Veliu.
Kryetari Veliu tha se subvencionet në bujqësi ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e ekonomive familjare, sepse po krijohen kushte për vetëpunësim dhe rritjen e të hyrave materiale.
Përkrahje për fermerët llapjanë, në emër të MBPZHR-së, ofroi edhe zëvendësministri Januzi, i cili tha se Ministria e Bujqësisë për sivjet ka paraparë rritje të subvencionimit për çdo shoqëri bletësh nga 10 në 15 euro.
Ndërsa fermerët Hilmi Syla, e Esat Deda, falënderuan Komunën për përkrahjen dhe shprehën gatishmëri për rritje të bashkëpunimit dhe shkëmbim të përvojave në mes të bletarëve.