Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim ambasadorin britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit me theks të veçantë në nxitjen e investimeve të bizneseve britanike në komunën e Podujevës.
Kryetari Veliu u shpreh i kënaqur për vizitën e ambasadorit britanik dhe e informoi atë për investimet e bëra në Komunën e Podujevë që nga paslufta.
I pari i Podujevës vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Britania e Madhe Kosovës në periudhën e pasluftës.
“Vlerësoj përkrahjen e madhe të Britanisë së Madhe për shtetin tonë. Në këtë aspekt çmoj kontributin kontingjentit ushtarake të Britanisë së Madhe, të cilët në kuadër të KFOR-it, u angazhuan në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në komunën tonë”, tha kryetari Veliu.
Në kuadër të bashkëpunimit dhe përkrahjes britanike, kryetari Veliu potencoi investimin e bërë në ndërtimin e “Parkut të Paqes” në Podujevë.
Gjatë takimit kryetari foli për investimet në infrastrukturë dhe krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik, si dhe për lehtësirat që po krijohen për investitorët potencialë.
“Jemi të përkushtuar në investime në sektorin e bujqësisë, gjë që është një nga prioritetet edhe Planin Strategjik Zhvillimor të Komunës sonë. Me kultivimin e mjedrës Komuna jonë tashmë është bërë njohur edhe jashtë kufijve të Kosovës”, tha Veliu.
Ambasadori britanik tha se ndjehet i lumtur që pas 10 vitesh sërish ndodhet në Podujevë.
“Po ndjehem i lumtur që pas 10 vitesh sërish jam në Podujevë dhe këtu po shoh shumë ndryshime pozitiv”, tha ambasadori O’Connell.
Ai u shpreh i kënaqur për investimet e bëra në bujqësi, veçmas në kultivimin e mjedrës.
“Jam i lumtur që produktet që prodhohen në Podujevë plasohen edhe në tregun e jashtëm. Kjo është mënyra në prezantimin e imazhit të një shteti në vendet e tjera”, tha ambasadori O’Connell.
Gjatë qëndrimit në Podujevë, ambasadori Ruari O’Connell, vizitoi edhe “Parkun e Paqes”.