“Vendimet e vështira” për Kosovën, para apo pas zgjedhjeve?

Prishtinë | 02 Pri 2017 | 09:14 | Nga

Liderët politikë dhe institucionalë të Kosovë kanë marrë mesazhe të qarta nga zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, se çështjet e rëndësishme që janë në proces, duhet të përfundojnë, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Çështjet e rëndësishme, për të cilat duhet të merren vendimet, siç thonë ata, janë: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe sqarimi i çështjes së transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Por, megjithëkëtë, ata besojnë që, duke u bazuar në qëndrimet e partive politike dhe gjendjen e krijuar në skenën politike, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht pikëpamjeve që ka shprehur diplomati amerikan Yee, se zgjedhjet e parakohshme “do të kenë si efekt vonimin e vendimeve të vështira”.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pozicionimi dhe qëndrimet e partive politike rreth këtyre tri çështjeve, nuk japin shumë shpresa se mund të arrihet një konsensus politik për tejkalimin e kundërshtive.

“Partitë politike kanë marrë qëndrime të ashpra dhe të qëndrueshme, në secilën nga këto pika, dhe nuk besoj që do të arrijnë ta tejkalojnë vetveten për të arritur një marrëveshje, e cila do të mund t’i kalonte këto tri çështje dhe të prisnin për orarin, cili parashihet në vitin 2018, të zgjedhjeve, sidomos partitë opozitare”.

“Ato gjithmonë do të jenë të interesuara të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo, këtë po e vërejmë tani edhe nga partitë në pushtet. Prandaj, po besoj që kushtet dhe sentimenti politik është gjithmonë duke u pjekur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, thotë Ibrahimi.

Analisti Ibrahimi, shton se megjithatë, mesazhi i diplomatit amerikan Yee, nuk ishte i prerë lidhur me zgjedhjet eventuale.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Imer Mushkolaj. Duke folur për Radion Evropa e lirë, ai thekson se e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është që të përfundojnë çështjet e rëndësishme që janë në proces.

“Besoj që mesazhet e zyrtarit amerikan ishin të qarta. Por, pavarësisht kësaj, fushata e partive po vazhdon – sidomos e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës – dhe konsideroj që ata do të përpiqen që gjatë muajit të ardhshëm të provojnë ta kalojnë Demarkacionin, si dhe të provojnë – pasi është kthyer Lista serbe në institucione – që të punojnë në themelimin e Asociacionit, respektivisht për miratimin e statutit të Asociacionit. Pastaj, megjithatë, të vendosin që të shkojnë në zgjedhje”, thekson Mushkolaj.

Ai shton se edhe për çështjen e Ushtrisë së Kosovës, mesazhet tashmë janë të qarta që të punohet që kjo të realizohet brenda këtij viti.

Sipas tij, në rast se çështjet e rëndësishme nuk mund të kryhen brenda pak kohësh, zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

“Nëse nuk kryhet, natyrisht që nuk e besoj që do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, për shkak se janë disa obligime që janë marrë nga partnerët e koalicionit. Ky koalicion është themeluar apo krijuar, pikërisht me idenë që të kalohen disa të ashtuquajtura çështje të mëdha dhe këto, për të cilat po bisedojmë, natyrisht se janë çështje të mëdha, të cilat duhet të votohen në Parlament”, vlerëson Mushkolaj.

Por, analisti Ibrahimi shpreh mendimin se zgjedhjet e parakohshme duken të pashmangshme. Në të kundërtën, sipas tij,çështjet për të cilat është kërkuar zgjidhje nga diplomati amerikan Yee, do të mund të zgjidheshin vetëm në rast se në zgjedhje do të shkohej sipas orarit, në vitin 2018.

“Nëse do të kishim një mandat të plotë deri në vitin 2018, atëherë nuk është edhe e pamundur që të tria këto çështje të kalojnë, sepse, në fund të fundit, partitë politike bëjnë kompromise dhe pazare me njëra-tjetrën. Nëse bëhet kompromis me një çështje, atëherë merret me një çështje tjetër dhe këtu duke e përfshirë edhe Listën Serbe, e cila i ka interesat e veta”.

“Atëherë, nëse me të vërtetë nuk do të kemi zgjedhje këtë vit, por presim deri në vitin 2018, atëherë është një mundësi që me anë të kompromiseve të ndryshme, të arrihet që të paktën disa nga këto çështje të mund të kalohen nga parlamenti”, shton Ibrahimi.

Sido që të jetë, kthimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, pritet të sjellë një dinamikë të re në proceset që ndërlidhen me votat e tyre, sidomos lidhur me krijimin e Asociacionit, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.(REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme