Vërshimi në shkollën “Ismail Qemali” përmbyt njehsorin e rrymës

Prishtinë | 22 Qer 2018 | 08:50 | Nga

Shiu i rrëmbyeshëm që ra në Prishtinë pasditen e së enjtes ka vërshuar hapësirën e brendshme të shkollës fillore “Ismail Qemali”. Mësimi në ndërresën e pasdites është ndërprerë për të shmangur rrezikun për nxënësit dhe personelin e shkollës, ngase nën ujë ka përfunduar njehsori i shkollës, i vendosur në bodrum që nga ndërtimi i objektit në vitet ‘80.

Këtë gjë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Bajram Vrapçani. Sipas tij, në atë kohë ka qenë duke mbajtur mësim ndërresa e pasdites me nxënës të klasave 1-5.

“Menjëherë e kemi ndërprerë mësimin, dhe filluam që t’i largojmë nxënësit që po mbanin mësim në klasat e bodrumit. Ishte rrezik edhe t’i lejonim që të dilnin jashtë, sepse ata janë të vegjël dhe vërshimet ishin të mëdha edhe në oborr të shkollës”, ka treguar Vrapçani.

Ai ka thënë se drejtuesit e shkollës më së shumti kanë qenë të shqetësuar kur kanë parë se uji kishte mbuluar edhe njehsorin e rrymës, prandaj me urgjencë, përmes rojave të shkollës, është ndërprerë rryma.

Të ngjashme