Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Kadri Veseli, ka thënë se Kosovën shtet të zhvilluar mund ta bëjë vetëm PDK-ja.
“Do ta bëjmë, sepse tokë tjetër për të jetuar nuk kemi. Për këtë, ne kemi guximin e duhur dhe vizionin e qëlluar. A nuk e çliruam Kosovën me një luftë të guximshme? A nuk ishte populli ynë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që paguan me gjakun e tyre që Kosova të jetë e çliruar që Mitrovica të jetë e bashkuar? Dhe, të jeni të sigurt, se sa të jenë gjallë bijtë e Shalës dhe stërnipat e Isë Boletinit, dhe bijtë e Drenicës dhe stërnipat e Azem Galicës, Mitrovica nuk ndahet kurrë! Sepse nuk ka çmim për liri. Nuk ka çmim për Mitrovicën”, ka thënë ai.
Lideri i PDK-së ka thënë se gjatë fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitet 1991-1992, ishim pak në fillim.
Ishim pak, ka thënë ai, sepse edhe besimi se do të mund ta fitonim lirinë ishte i paktë.
“Por, çdo ditë shtoheshin radhët tona, me luftëtarë të rinj në tërë Kosovën, të gatshëm të flijoheshin, e bashkë me ta – rritej edhe besimi. Kur u pa se ishim të vendosur për ta fituar lirinë, na erdhën në ndihmë edhe aleatët tanë të mëdhenj, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Thuhet se Zoti i ndihmon vetëm ata që e ndihmojnë veten. E kur ne ndihmuam veten, na ndihmoi edhe Zoti, dhe na erdhën pranë edhe miqtë tanë për të na ndihmuar”, ka thënë Veseli.
Ai më pas ndau me qytetarët edhe një moment të luftës.
“Në prill të vitit 1999, në Baicë të Drenasit, kishim një numër të madh të të plagosurve rëndë, civilë e luftëtarë, të cilët po mundoheshim t’i zhvendosnim në bjeshkët e Kosmaqit. Ishim të rrethuar nga të gjitha anët prej forcave serbe. Ishte një situatë tejet e vështirë. Doktor Fadil Beka, që kujdesej për të plagosurit, ishte në prag të dëshpërimit, sepse nuk kishte çfarë të bënte më tepër. E pashë në sy dhe i thashë: “Nuk jemi vetëm”. Me një telefon satelitor që kisha, isha në përpjekje për t’u koordinuar me aleatët, që të pasonin sulmet. Nuk kaloi shumë dhe aeroplanët e lirisë erdhën, nisën të bombardonin dhe shpëtimi erdhi për të gjithë aty: për të plagosurit, për fëmijët, për të gjithë. Një vajzë e re, që në ato çaste përpëlitej me jetën, e cila kishte humbur nënën dhe vëllain e vogël, ndërsa asaj vetë granatat serbe ia kishin këputur dorën, sot është e gjallë dhe jeton në Paris. Ashtu sikurse edhe një luftëtar i Zonës Operative të Shalës, që po i humbiste këmba, edhe ai sot është gjallë. Ka krijuar familjen dhe jeton këtu në Tavnik të Mitrovicës. Ai është Naimi. Dhe unë, bashkë me ju, e përshëndesim. Sot, besoj e kemi këtu në shesh”, u shpreh Veseli.
Ai theksoi se miqtë tanë na ndihmuan kur ishim më së rëndi, dhe ne do t’u jemi përjetë mirënjohës, por do të jemi edhe përjetë partnerë.
Për t’u rikthyer në rrugën e suksesit, në rrjedhën e fitores, Veseli tha se duhet të kthehemi në nivelin e koordinimit të vitit 1999, kur vepruam për një interes të përbashkët.
“Ju them të besoni në Kosovën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku, si dikur. Çfarë të ardhme mund ta ndërtojmë së bashku? Ne mund t’ia kthejmë shpresën rinisë sonë, ashtu siç me aleatët ia sollëm shpresën popullit tonë, 20 vjet më parë. Ne duhet të punojmë përsëri së bashku, si aleatë që marshojmë së bashku drejt një të ardhme më të mirë. Edhe sot, si 20 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të na ndihmojnë. Por, aleatët nuk do ta ndihmojnë askënd që nuk e ndihmon veten. Para së gjithash, Kosova duhet ta bëjë një zgjedhje: një luftë pa kompromis kundër korrupsionit”, ka thënë Veseli duke shtuar se vetëm PDK-ja do ta bëjë këtë luftë.
“Ata që kanë gabuar, do të përgjigjen. Të gjithë ata që mendojnë se janë më të fuqishëm se ligji, më të mëdhenj se Kosova jonë, do të ndalen”, u shpreh ai.
Veseli: Do t’i ndryshoj prioritetet e Qeverisë për t’iu ofruar më shumë mundësi të rinjve
Lideri i PDK-së ka premtuar se të gjithë do ta shohin ndryshimin në 100 ditët e para të qeverisjes së tij.
Ai ka thënë se Kosova duhet ta bëjë një zgjedhje: t’i ndryshojë prioritetet e Qeverisë dhe t’u ofrojë të rinjve tanë një të ardhme këtu.
“Ta përmirësojmë sistemin e arsimit, t’i mbështesim më shumë sipërmarrësit e rinj, të investojmë në kompani të suksesshme dhe mos t’i ngarkojmë ato me taksa, ta ndalim nepotizmin dhe t’i punësojmë më të mirët, t’u besojmë të rinjve dhe t’ua japim atyre një mundësi të vërtetë për të pasur sukses. Ne jemi e vetmja parti që do ta bëjmë këtë. Unë kam edhe guximin, edhe vendosmërinë, edhe planin e duhur, për ta bërë këtë”, ka thënë Veseli.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se do t’i jap rinisë sonë mundësi, ashtu siç ka bërë në partinë e tij, duke promovuar ministra të rinj.
“Do të sjellim investitorë të huaj, që do të krijojnë vende pune. Kosova duhet ta bëjë një zgjedhje: me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në krahun tonë, duke ruajtur interesat tona, të shkojmë drejt anëtarësimit në OKB dhe njohjes ndërkombëtare. Si aleatë, do të marshojmë së bashku, drejt një të ardhme më të mirë”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se nuk do të heqim dorë nga aleatët tanë dhe nuk do të lejojë që dikush ta rrezikojë të ardhmen tonë.
“Ky vend ka të ardhme dhe ne do ta ndërtojmë atë. Së bashku me popullin e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.
Lideri i PDK-së ka thënë se luftimi i korrupsionit, forcimi i ekonomisë, shpresa për të rinjtë në Kosovë, ndërtimi i së ardhmes, të gjitha këto mund të bëhen. Por, sipas tij, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jetë më lehtë dhe më mirë.
“Së bashku, ne do ta kthejmë shpresën në Kosovë dhe do ta ndërtojmë të ardhmen: për ty dhe shtetin. Kushdo që beson në këtë të ardhme, le të na bashkohet sot. Së bashku, mundemi. Së bashku, do të fitojmë”, ka thënë ai.
Më 6 tetor, Veseli ka kërkuar që të gjithë të bëhen bashkë dhe ta votojnë Partinë Demokratike të Kosovës.
“Votojeni adresën më të besueshme dhe më të fuqishme politike në Kosovë, me numrin më të mirë: 112”, ka thënë ai.