Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, së bashku me kandidatin për kryetar të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë vazhduar tubimet elektorale në lagje dhe fshatra të Prizrenit.
Veseli e Totaj, fillimisht, para qytetarëve të lagjes “Kurillë”, prezantuan programin qeverisës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, me theks të veçantë Fondin për Zhvillim të Qytetit prej 2 milionë eurosh.
Totaj theksoi se ky fond do t’i shërbejë bizneseve të reja (Start Up) dhe atyre ekzistuese, i cili do të jetë indikator i rëndësishëm për krijimin e vendeve të reja të punës. Kandidati Totaj tha se ky fond do të jetë mundësi e veçantë për të rinjtë dhe gratë.
Kreu i PDK-së, Veseli, falënderoi qytetarët e Kurillës për besnikërinë e treguar në vizionin dhe lidershipin PDK-së, gjithashtu kërkoi që të vazhdohet kjo përkrahje, fuqishëm, edhe për kryetarin e ardhshëm të komunës, Shaqir Totaj, në zgjedhjet e 22 tetorit.
PDK beson se Kurrilla vazhdon të jetë bastion i pakontesueshëm i PDK-së.
Më pas, Veseli e Totaj mbajtën tubim me banorët e Korishës ku shpalosën programin qeverisës dhe mundësitë që i ofron Forca e Ndryshimit për Prizrenin.
Kreu i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, theksoi se do të mbështesë çdo projekt kapital që iniciohet nga Shaqir Totaj dhe banorët e komunës së Prizrenit.
Ai theksoi se me Totajn, Prizrenin do ta shndërrojnë në kryeqendër të zhvillimit ekonomik.
Nga ana e tij, Totaj u zotua se pos Fondit për Zhvillim ekonomik prej 2 milionë eurosh, do të rrisë buxhetin për subvencionimin e fermerëve, i cili do të jetë promotor i rritjes së numrit të punëtorëve dhe zbutjes së papunësisë.