Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën plenare ka thënë se Kosova ka avancuar statusin e saj të përfaqësimit në Këshillin e Evropës.
Sipas tij krejt kjo është bërë si rezultat i diplomacisë parlamentare.
“Më lejoni që në hapje të kësaj seanca plenare të ndaj me ju një lajm të mirë për vendin tonë. Si rezultat i diplomacisë parlamentare, Kosova ka avancuar statusin e saj të përfaqësimit në Këshillin e Evropës. Duke filluar nga janari i vitit 2017, Kosova do të marrë pjesë në seancat e asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës me një delegacion të përbërë nga tre anëtarë, pozitë, opozitë, dhe pakica”, ka thënë Veseli.
Ai ka theksuar se me 5 shtator të këtij viti, Byroja e Asamblesë së Përgjithshme e Këshillit të Evropës ka marrë vendim lidhur me zbatimin e paragrafit të 13-të të Rezolutës nr 2094 (2016) për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës.
“Dhe paragrafi i 13-të i kësaj rezolute parashikon ngritjen e nivelit të bashkëpunimit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës me Kuvendin e Kosovës. Një ditë më parë, gjatë Sesionit të Katërt të Rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ky vendim u ratifikua me shumicë votash”, ka thënë Veseli, duke falënderuar për punën dhe angazhimin tyre në këtë proces, nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Halitin dhe Aida Dërgutin.
Gjithashtu Veseli ka theksuar se Kosova po ecë përpara me hapa të sigurt drejt integrimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, duke forcuar gjithnjë subjektivitetin ndërkombëtar.