Mijëra anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës në Lipjan, i kanë uruar sot mirëseardhje në qytetin e tyre liderit të PDK-së, Kadri Veseli.
Në këtë tubim elektoral, kreu i partisë më të madhe në vend, u ka thënë lipjanasve se platforma e Fillimit të Ri është e vetmja shpresë për Kosovën, për të cilën, ai është shrehur i bindur se do të marrë mbështetje absolute më 11 qershor nga të gjithë qytetarët e vendit.
Kadri Veseli ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur me koncepte që janë dëshmuar si të dështuara, apo me të tjera të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe vejnë në dyshim të ardhmen e tij. Ai ka shtuar se Kosova nuk mund t’u japë besim atyre që përbuzin lirinë apo atyre që frikësohen nga liria.
“Kosova ka nevojë për një fillim të ri, që fuqizon shtetin tonë dhe mban lart flamurin e shenjtë kombëtar, e njëkohësisht atë shtetëror. Kosova jonë ka nevojë t’i jap kuptim të ri lirisë, pavarësisë dhe sovranetit të saj. Duke pasur një ekonomi të fuqishme, sovraniteti do të jetë i sigurt dhe qytetarët do të jenë të lumtur”, ka thënë Veseli.
Veseli ka thënë se nuk mund të ketë rritje ekonomike pa një përkrahje të fuqishme për ndërmarrësit, të cilët ai i ka emërtuar ‘heronj të paqes’. Veseli ka thënë se kjo mbështetje do të rezultojë me krijim të vendeve të reja të punës për të rinjtë e Kosovës.
Edhe para qytetarëve të Lipjanit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka shpalosur aspekte programore të Fillimit të Ri, të cilat lidheshin me rritjen e buxhetit në sektorë të ndryshëm zhvillimorë dhe të kujdesit ndaj qytetarëve, si bujqësia dhe shëndetësia. Po ashtu, ai ka përmendur edhe rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik, si dhe rritjen e pensioneve, prej 30 për qind.
“Pas 11 qershorit, me fitoren e madhe të Fillimit të Ri, prioritet i Kosovës do të jetë fuqizimi i ekonomisë dhe hapja e vendeve të punës për të rinjtë. Prandaj, bashkohuni rreth Kosovës së re, Kosovës perëndimore, në partneritet me SHBA-në dhe Evropën Perëndimore, të zhvilluar ekonomisht e me mirëqenie për qyetetarët e saj”, ka thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.