Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka shpalosur para mijëra qytetarëve në Gjakovë platformën qeverisëse “Fillimi i Ri” e cila siç tha Veseli do të garantoj zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe perspektivë të sigurt për Republikën e Kosovës.
“Gjakova ka nevojë për zhvillim ekonomik, për infrastrukturë më mirë, Gjakova ka nevojë për vende të reja të punës si gjitha qytetet e vendit. Kosovës i duhet një vizion i guximshëm, një lidership që merr vendime për ndërmarrësit tanë, fermerët tanë sepse vetëm nga një vend pune sikur ta hapin përmes mbështetjes tonë, atëherë shumë shpejt mund të hapen 60 mijë vende të reja puna”, tha kryetari Veseli.
Kreu i PDK-së tha se platforma qeverisëse “Fillimi i Ri” do të rrisë mbështetjen për sektorin privat përmes ndihmës dhe lehtësirave ligjore për bizneset si dhe përmes rritjes së granteve e subvencioneve në bujqësi prej 120 milionë euro.
Veseli i siguroi nga Gjakova të gjithë punëtorët e administratës, mësimdhënësit, mjekët dhe gjithë shërbyesit publik se do të kenë rritje pagash prej 30 përqind.
“Do të fuqizojet sektori publik. Gjithë administrata, gjithë punonjësit e arsimit, punonjësit shëndetësor, do të kenë përkrahje. Do të rrisim pagat e tyre për 30 përqind. Në të njëjtën kohë do të përmirësojmë infrastrukturën e punës së tyre, kushtet e punës dhe të drejtat e tyre”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së po ashtu tha se pensionistët nga të gjitha kategoritë do të kenë rritje të pensioneve prej 25 për qind, ndërsa po ashtu, ai theksoi se do të krijohen kushtet për punësimin e gjithë mjekëve specialistë dhe specializantë.
“Nuk do të ketë më në Republikën tonë mjek, doktorë të papunë. Nuk do të ketë më doktor në Republikën tonë që mëson gjuhën e huaj e për shkak të pagave dhe kushteve të punës ta lëshon atdheun e vet. Kjo më nuk do të ndodhë në Republikën tonë. Do ti përkrahim ata, do tju rrisim pagat atyre. Në të njëjtën kohë, do tu përmirësojmë kushtet e punës së tyre që të na shërbejnë më mirë ne qytetarëve të këtij vendi”, tha Veseli.