Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vizituar disa biznese të cilat janë prekur nga pandemia në qytetin e Pejës, raporton Ekonomia Online.
Veseli gjatë vizitës në kompaninë “Greenhouse” dhe “Ved-Farm”, tha se duhet ndhihmë konkrete nga ana e Qeverisë për bizneset, veçanërisht tani gjatë pandemisë.
“Ekonomia jonë mund të eci përpara vetëm npërmjet lulëzimit tē sipërmarrjeve private në kushtet e një konkurrence të lirë e të ndershme dhe nëpërmjet një integrimi sa më të mirë të ekonomisë sonë në tregjet ndërkombëtare”.
“Prandaj sektori i prodhimit në ekonominë e Kosovës meriton vëmendje shumë më të madhe se deri tani prej Qeverisë, sidomos duke ditur që është dëmtuar nga pandemia”.
“Zgjerimi i kompanive si këto të dyja dhe i këtij sektori prodhues në përgjithësi mundëson shtimin e vendeve të reja të punës që sigurojnë të hyra për shumë familje. Po ashtu rrit të hyrat në buxhetin e shtetit që mund të përdoren për të përmirësuar shërbimet publike dhe infrastrukturën”.
“Rritja e prodhimit vendas gjithashtu kontribuon në uljen e çmimeve për konsumatorin tonë duke ulur koston e jetës dhe përmirësuar standardet e jetës së qytetarëve kosovarë”.
Kompania “Greenhouse” prodhon shtëpi të parafabrikuara prej druri të cilësisë së lartë duke eksportuar në Zvicër, Austri e vende të tjera të Evropës së veriut.
Ndërkaq, kompania “Ved-Farm” është një investim serioz që përdor fjalën e fundit të shkencës për të prodhuar vezë cilësore.