Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se nuk mund ta udhëheqë Kosovën një alternativë që nuk e njeh Kosovën shtet dhe po e bën këtë vetëm kur i duhet për synime të veta.
Ai i bëri komentet në konferencë për media, me rastin e aderimit të ish-gazetarit Blerim Shala në këtë parti.
Veseli ka thënë se shteti nuk mund të udhëhiqet nga ata që nuk e njohin Kosovën si shtet.
“Zgjedhjet kanë shtruar një pyetje? Kush do të udhëheqë shtetin tonë? Nuk mund të udhëheqin nëse alternativa e një koncepti nuk ka vendimmarrje, vizion përgjegjësi dhe ka një koncept qe nuk e njeh Kosovën shtet, pra e njeh vetëm kur i duhet dhe ka për synim rrënimin e asaj që kemi ndërtuar në shtetin tonë”, ka thënë Veseli.
Koordinatori i ekipit të Kosovës për bisedime me Serbinë, gjatë prezantimit, ka thënë se është i nderuar që po bëhet pjesë e PDK-së. Vendimin për të mbetur në politikë, Blerim Shala e ka quajtur të vështirë.
Blerim Shala dy vite më parë ishte larguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkohë që ka vazhduar të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës, pa i takuar ndonjë grupi parlamentar.
Veseli: Koalicioni i ri po gjen përkrahje në mbarë vendin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se koalicion me AAK-NISMA ka gjetur përkrahjen në mbarë vendin, raporton Ekonomia Online.
“Përkrahjen e sinqertë të gjithë anekënd Kosovës. Ne kemi nevojë sepse politika dhe politikanët nuk duhet tu sjellin probleme qytetarëve, ata duhet ti zgjidhin problemet. Një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, një Kosovë ku gratë dhe të rinjtë kanë shansin e barabartë për të marrë përgjegjësi”, ka thënë ai.
Pasi prezantoi aderimin e ri në këtë parti, Blerim Shalën, tha se Fillimi i Ri rrezaton shpresë për të ardhmen e vendit.
“Është Koncepti i Fillimit të Ri i cili fton qytetarët e Kosovës edhe partitë që s’ju kanë bashkuar të besojnë në këtë vizion që rrezaton shpresë për të ardhmen në rend të parë për zhvillim ekonomik”, ka thënë Veseli.
Sipas tij Fillimi i Ri vetëm sa ka filluar.