Pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, dialogu me Serbinë është vënë në pauzë, e nuk pritet të rinisë pa përfunduar zgjedhjet presidenciale në Serbi, të planifikuara për në pranverën e vitit 2022. Por, jetëgjatësia e ngërçit në këtë proces mund të zgjatet përtej këtij viti, pasi masa e reciprocitetit ndaj Serbisë do të rivihet nga Qeveria e re, nëse ajo udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, parti për të cilën sondazhet parashohin se do të jetë fituese absolute e zgjedhjeve të 14 shkurtit
Prishtinë, 8 janar – Dialogu Kosovë-Serbi do të pësojë një ngërç të ri e të gjatë. Pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, procesi është vënë në pauzë, e nuk pritet të rinisë pa përfunduar zgjedhjet presidenciale në Serbi, të planifikuara për në pranverën e vitit 2022.
Por, jetëgjatësia e ngërçit mund të zgjatet përtej këtij viti, pasi masa e reciprocitetit ndaj Serbisë do të rivihet nga Qeveria e re, nëse ajo udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti për të cilën sondazhet parashohin se do të jetë fituese absolute e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i LVV-së, thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë reciproke. Ka thënë se ky është minimumi i marrëdhënieve që dy shtete mund të kenë njëra me tjetrën.
“Pra, ne kemi besuar kështu prandaj edhe e kemi vendosur reciprocitetin, edhe pastaj e kemi kritikuar qeverinë e jashtëligjshme kur ajo e ka larguar reciprocitetin”, ka thënë ai. “Për ne, reciprociteti nuk është një masë e atypëratyshme, e barasvlershme me një vendim të qeverisë i cili mund të tërhiqet. Për ne ajo është politikë nacionale, të cilën e kemi thënë vazhdimisht ndoshta që nga viti 2011 e tutje”.
Prandaj, ka paralajmëruar se masa do të rivihet.
“Ne besojmë që reciprociteti duhet të ekzistojë si parim në raport me Serbinë”, ka insistuar Kryeziu. “Ka qenë gabim kur është larguar. Është i nevojshëm që të rikthehet e më pastaj edhe të trashet, ashtu siç ishte edhe plani i qeverisë Kurti I”.
Ngërçi paraprak në dialog ishte pasojë e përcaktimit të Serbisë për të mos u kthyer në tavolinë, pa e hequr tarifën prej 100 për qind ndaj importeve serbe, të vëna nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Qeveria e Albin Kurtit që e pasoi, e zëvendësoi tarifën me reciprocitet, masë që në Beograd u interpretua si akoma më e rëndë. Por, një nga vendimet e para që mori Qeveria e Avdullah Hotit, ishte zhvlerësimi i reciprocitetit, pas të cilit vendim Beogradi zyrtar pranoi të rikthehej në tavolinë.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ishte kundër reciprocitetit, meqë me të nuk mund ta sillte Serbinë në tryezën e negociatave që synohej të zhvilloheshin në Uashington para zgjedhjeve presidenciale. Kurti s’iu bind, por qeveria e tij u rrëzua me mocion mosbesimi.
Në shoqërinë civile thonë se qeveria e re, që pritet të drejtohet nga Kurti, nuk duhet të marrë vendime krye më vete.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD), thotë se secila masë në raport me Serbinë, duhet të vihet në koordinim me faktorin ndërkombëtar.
“Duhet që çdo hap që e merr qeveria e re, të jenë hapa të mirëmenduar, të jenë hapa të koordinuar me Bashkimin Evropian në këtë rast si ndërmjetësues dhe SHBA-të dhe që të ruhet dhe të garantohet interesi i Kosovës”, thotë ajo. “Pra, të ketë një pragmatizëm në atë që të mos duket sikur Kosova është pala jokonstruktive dhe që palë konstruktive është Serbia”.
Krasniqi alarmon se mund të prodhojë kundërefekt secila vendimmarrje krye më vete.
“Nëse shkojmë në veprime unilaterale, të cilat jo domosdoshmërisht e kanë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, ato mund të kthehen në bumerang”, thotë Krasniqi. “Na mbetet ne si shtet i Kosovës të vendosim rrugën që duhet ta marrim, por duhet ta dimë se çfarëdo veprimi mund të ketë pasoja dhe duhet t’i mbajmë ato”.
Qasjen e presidentit Trump rreth dialogut Kosovë-Serbi e pati kritikuar kandidati demokrat Joe Biden, i cili e fitoi garën presidenciale. Qasjes për korrigjim kufijsh ai iu kundërvu, duke promovuar një zgjidhje për njohje të ndërsjellë dhe ruajtje të sovranitetit e integritetit territorial.
Me ndërrimin e administratës amerikane, Jeta Krasniqi pret qasje të re në raport me dialogun.
“Një gjë është e qartë për ne: për njohje reciproke dhe të gjitha këto çështje që i kërkojmë – anëtarësimin në OKB, njohjen nga pesë shtetet jonjohëse të BE-së – roli i SHBA-ve është qenësor”, thotë ajo. “Nga gjithë emrat që është përmendur se do të jenë në departament të shtetit, duket që janë njerëz që e njohin rajonin dhe kanë punuar në rajon, edhe mund të ofrojnë një mbështetje”.
E Përparim Kryeziu thotë se përpos bashkëpunimit me ndërkombëtarët, kërkohen edhe përgatitje përpara se të rifillojë dialogu.
“Për Lëvizjen Vetëvendosje, dialogu me Serbinë është një proces dhe temë shumë serioze, për çka ka nevojë për përgatitje paraprake, për dallim nga subjektet dhe qeveritë e kaluara, të cilat e kanë trajtuar dialogun me prioritet, por në anën tjetër, nuk kanë pasur aspak përgatitje”, thotë ai.
Dialogu me Serbinë ka nisur më 2011-n, por nuk ka njohur përparim prej se ka hyrë në fazën finale, e cila synohet të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese./KTV