Partia e parë e dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të dihen më shumë detaje për marrëveshjen e nënshkruar në Berlin për fluturimet komerciale, Prishtinë – Beorgad.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga zyra për komunikim në partinë e Albin Kurtit kanë deklaruar se duhet të lexohen të gjithë dokumentet e dorëzuara për fluturimet e paralajmëruara Prishtinë – Beorgad, që pastaj të shihet a është në përputhje gjithçka me parimin e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Duhet t’i lexojmë të gjitha dokumentet e dakorduara për fluturimet e paralajmëruara Prishtinë-Beograd dhe të shohim se a është gjithçka në përputhje me parimin e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e LV-së.
Lajmi për hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd është bërë dje nga kryeqyteti gjerman nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane në Konferencën për Libinë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien.
Liderët në vend ndërkaq e kanë pritur me pozitivitet arritjen e kësaj marrëveshje.
Ata në Serbi kanë deklaruar se do të jetësohet vetëm nëse hiqet taksa prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.