Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se është duke përgatitur një kallëzim penal për gjyqtarin Beqir Kalludra, sipas kësaj partie, shkaku i persekutimit që po ua bën ai deputetëve dhe aktivistëve të VV-së.
VV-ja në njoftim ka thënë se në seancën gjyqësore ndaj deputetëve Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiut dhe Faton Topallit, për rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, gjyqtari Kalludra ka anuar duke u dhënë këshilla dëshmitarëve të këtij rasti.
“Persekutimi i aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga gjyqtari Beqir Kalludra vazhdoi edhe dje me seancën politike gjyqësore ndaj deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit dhe Albulena Haxhiut, e cila zgjati më shumë se 8 orë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
“Gjatë kësaj seance, ku u morën në pyetje dëshmitarët e prokurorisë, gjyqtari Kalludra, mbante haptazi anë dhe u jepte dëshmitarëve këshilla sugjestive, sa herë që ata mirreshin në pyetje nga deputetët tanë në këtë seancë. Edhe atëherë kur dëshmitarët kishin vullnet të përgjigjeshin, ky gjyqtar ua ndëprente fjalën, ndërhynte pa asnjë të drejtë në pyetjet e deputetëve, me ç’rast u pamundësohej atyre që nëpërmjet këtyre dëshmitarëve të ofronin prova me anë të së cilave edhe njëherë do të vërtetohej qëllimi politik për veprimet tona në mbrojtje të Republikes dhe territorit. Ai donte që deputetët tanë të bënin pyetje që u pëlqejnë dëshmitarëve dhe atij. Kjo është shkelje esenciale e palëve në procedurë në rastin konkret deputetëve tanë”, thuhet në njoftim.
Sipas partisë së VV-së gjyqtari Kalludra “shkoi aq larg sa që deputeten Donika Kadaj-Bujupi e nxorri nga seanca, vetëm se ajo i bëri pyetje deputetit Nuredin Ibishi, mbi veprimet faktike nga e kaluara e tij e që ishin me rëndësi për ta dëshmuar karakterin dhe integritetin e dëshmitarit”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! më datë 22 nëntor ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, kryesuar nga Beqir Kalludra, por ende pa marrë vendim kryetarja e Gjykatës Themelore, mbi këtë përjashtim, i lartëpërmenduri, më 23 nëntor ka marrë vendim të paligjshëm për arrestimin e 3 deputetëve, Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut dhe caktimin e paraburgimit ndaj tyre”, njofton Vetëvendosje.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale neni 43, gjyqtari ndëpren çfarëdo veprimi, nëse ka kërkesë për përjashtimin e tij. Rrjedhimisht lëshimi i urdhëarresteve 1 ditë pas kërkesës për përjashtim është shkelje e KPRK pra me këtë vendim të paligjshëm Beqir Kalludra ka kryer vepër penale andaj Lëvizja VETËVENDOSJE! po përgatlit kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe në Zyrën e Prokurorit Disiplinor. Ne kërkojmë nga gjyqtari lirimin e deputetëve dhe aktivistëve që padrejtësisht po mbahen në burg”.