Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se vendimet që dalin nga proceset gjyqësore duhet të pranohen nga një shtet ligjor.
Sipas saj, nisja e punës së kësaj Gjykate nuk ka nevojë ta gjejë Kosovën me institucione të formuara, pasi do të akuzohen individë dhe jo bartës të funksioneve apo të pozitave shtetërore. “Jo. Do të akuzohen individë dhe jo bartës të funksioneve apo të pozitave shtetërore”, ka thënë Viets për gazetën “Zëri”.
E pyetur se si duhet të menaxhohet situata pas nisjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale për të dyshuarit në Kosovë, Viets ka thënë se ky është vetëm një proces gjyqësor, në përfundim të të cilit merret një vendim i plotfuqishëm nga ana e Gjykatës lidhur me pretendimet e një akuze, andaj vendimet që dalin nga kjo Gjykatë duhet të respektohen nga një shtet ligjor.
“Nuk ju kuptoj çfarë mendoni me pyetjen rreth ‘situatës’? Ngritja e akuzave paraqet fillimin e një procesi gjyqësor, në përfundim të të cilit merret një vendim i plotfuqishëm nga ana e Gjykatës lidhur me pretendimet e një aktakuze. Ky vendim mund të jetë edhe lirim. Vendimet që dalin nga proceset gjyqësore duhet të pranohen nga një shtet ligjor”, ka thënë Viets.
Në fund Viets nuk ka dashur të komentojë nëse vendi rrezikon ndonjë destabilitet politik pas fillimit të punës së Gjykatës. Sipas saj, këtë duhet ta gjykojnë kosovarët më shumë sesa ajo. “Këtë mund ta gjykoni ju si kosovarë shumë më mirë sesa unë”, ka thënë Viets.