Ministri i Punës, Arban Abrashi; ai i Financave, Avdullah Hoti, dhe kryetari i Komunës, së Rahovecit, Idriz Vehapi, vunë sot gurthemelin e objektit të ri të Zyrës së Punësimit në Rahovec.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se ky objekt është dizajnuar për të ofruar shërbime më cilësore për punëkërkuesit e rinj të kësaj komune. Duke falënderuar bashkëfinancuesit e projektit GIZ dhe SDC, Abrashi ka shtuar se Zyrat e Punësimit do të kenë krejtësisht një rol të ri në të ardhmen në ofrimin e shërbimeve, brenda një sistemi të integruar në kuadër të Agjencisë së Punësimit, e cila do të funksionalizohet në të ardhmen.
Ai ka potencuar se punësimi mbetet prioriteti numër një i Qeverisë dhe ky nuk është projekti i vetëm për banorët e kësaj komune.
Në përurimin e punimeve të këtij projekti, përfaqësuesja e GIZ-it , Emily Cullom, njëherësh edhe udhëheqëse e projektit “Promovimi i punësimit të të rinjve në Kosovë”, tha se ndjehet e lumtur që në këtë projekt është bashkëpartner me MPMS-në. Ajo tha se fokusimi i tyre është që të ofrojnë shërbime sa më të mira dhe më cilësore.
Cullom ka shtuar se edhe në projektet e mëhershme kemi parë se në Rahovec ka shumë energji pozitive për të punuar së bashku.
Projekti bashkëfinancohet nga GIZ dhe organizata zvicerane për bashkëpunim SDC (Swiss Development Cooperation).