Viti mbyllet me 38 mijë operacione dhe 1.2 milion shërbime ambulantore

Prishtinë | 29 Dhj 2016 | 14:35 | Nga

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka mbajtur ceremoninë e fundvitit me ç’rast ka bërë përmbledhjen statistikore të punës dhe rezultateve dhe ka ndarë mirënjohje për punëtorët e dalluar të vitit 2016.

Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, ka falënderuar punëtorët për angazhimin dhe punën që bënë gjatë vitit 2016. “Puna dhe angazhimi juaj ka bërë që në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik të ketë rezultate të kënaqshme. Ndonëse punën dhe mundin tuaj nuk mund ta shpërblejmë financiarisht meqë kemi buxhet të limituar, e kemi menduar që sado pak të ju ndajmë nga një mirënjohje nga ana e institucionit si shenjë e falënderimit dhe përkushtimi në punë”, tha Gjocaj.

Duke përmbledhur statistikat e punës në vitin 2016, tha se në tërë SHSKUK bazuar në statistikat preliminare ka pasur 804 mijë ditë shërimi me 149 mijë pacientë të shtrirë. Sipas tij, janë kryer 38 mijë operacione në nivel të SHSKUK-së ndërsa kishte mbi 1.2 milionë shërbime shërbime ambulanotore.

Duke ndarë statistikat sipas institucioneve, ai tha se vetëm në QKUK ka pasur 458 mijë ditë shërimi, me 70 mijë pacientë të shtrirë; nga ta 19 mijë pacientë janë operuar.

Në 7 spitalet e përgjithshme kishte 345 mijë ditë shërimi, me 78 mijë pacientë të shtrirë, nga ta 17 mijë pacientë janë operuar. Gjithsej vizita ambulantore ishin 665 mijë. QKSUK-ja ka kryer 53 mijë vizita të para dhe vizita kontrolluese.

Në Qendrat Profesionale të Shëndetit Mendor, me njësi në të gjithë Kosovën, kishte 55 mijë vizita ambulatore.

Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës në Gjakovë për vitin 2016 ka regjistruar 23 mijë vizita ambulantore.

Vlera monetare e Donacioneve të pranuara në Barnatoren Qendrore të QKUK-së gjatë periudhës së vitit 2016 arrin shumën mbi 8.8 milionë euro për barëra dhe material medicinal shpenzues.

Në fund u ndanë mirënjohjet për punëtorët e dalluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme