Kosova po i humb të gjitha afatet për ta marrë liberalizimin e vizave nga BE-ja këtë vit. Kushti për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi nuk po plotësohet dhe për këtë shkak qytetarët e vendit nuk do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen.
Qytetarët e Kosovës edhe këtë vit do të vazhdojnë të mbesin të izoluar, duke mos mundur të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kjo pasi institucionet e Kosovës nuk po i kryejnë obligimet e tyre të vëna si kusht nga Bashkimi Evropian. Demarkacioni me Malin e Zi, i cili është kusht i pakapërcyeshëm për ta marrë liberalizimin, institucionet nuk e kanë ndërmend të kryejnë, duke qenë se nuk e kanë si prioritet.
Madje krerët e institucioneve çdo fushatë zgjedhore liberalizimin e kanë pasur si top-prioritet, ani pse asnjëherë nuk u përmbush.
Gazeta “Zëri” javë më parë ka botuar një dokument të përgatitur nga Ministria e Jashtme e Kosovës, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës synonte që Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi të kalojë në Parlament prej datës 25-27 tetor 2016, në mënyrë që të arrihen afatet e nevojshme për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti. Në të kundërtën heqja e vizave me BE-në shtyhet për vitin tjetër. Por, në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur dje, është bërë e ditur se në seancën e 27 shtatorit nuk do të jetë pikë e rendit të ditës demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.