Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka kaluar në lexim të dytë në seancën e sotme të jashtëzakonshme.
Kjo seancë u inicua nga Grupi Parlamentar i PDK-së, derisa kërkesa për mbajtjen e saj u nënshkrua nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Ky projektligj është zvarritur tash e sa kohë pasi i njëjti kundërshtohej nga partitë opozitare, PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat kishin deklaruar se i njëjti nuk përmbush kërkesat e bizneseve dhe nuk përkon asgjë me rimëkëmbje ekonomike.
Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike u votua nga deputetët e PDK-së vetëm pasi u përfshinë edhe katër amendamentet e propozuara nga kjo parti opozitare.
Amandamentet e PDK-së janë: pakoja për qytetarët, punëtorët dhe bizneset e prekura nga pandemia të jetë mbi 400 milionë euro, pagesa për punëtorët që kanë humbur vendet e punës të jetë 300 euro për muaj, heqja e TVSH-së për lëndën e parë për ta mbështetur sektorin e prodhimit, si dhe të bëhet rimbursimi nga shteti i mjeteve prej 10 % nga Trusti për qytetarët që i kanë deri 10 mijë euro kursime.
Ky projektligj u miratua në lexim të parë më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, me 64 vota pro.