Vrasja e 18-vjeçarit në Podujevë, dënohen me 19 vjet burg dy të miturit e akuzuar

Prishtinë | 23 Maj 2024 | 15:29 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 19 vjet burg dy të miturit e akuzuar për rrahjen e Lulzim Fejzullahut, i cili pak ditë më vonë kishte ndërruar jetë, pas plagëve të marra, raporton Ekonomia Online.

Sipas aktgjykimit të Departamentit për të mitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, njëri është dënuar me 10 vite burg, ndërsa, tjetri me 9 vite.

Shpallja e aktgjykimit është bërë në seancë të mbyllur, pasi që në rast janë të përfshirë të miturit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, axha i 18-vjeçarit, Rrahim Fejzullahu, nuk është ndarë i kënaqur me dënimin e dy të miturve.

“Lulëzimi i ndjerë i ka pas 18 vite kështu që s’ma plotëson mu zemrën e para dhe e dyta nuk i besoj shkurt e shqip kësaj drejtësie. Nëse më pyet pse nuk i beson që ky me emër Artiol ka pas edhe 10 vepra ma herët këtu nuk e di sa janë marr parasysh, këtu me një fjalë mua ma ka lënë varrën hapur unë nuk i besoj edhe pikë”, ka thënë Fejzullahu.

Ndërsa, avokati i palës së dëmtuar, Tomë Gashi ka thënë se Gjykata ia ka dhënë 10 vite burgim në institucionin për të mitur.

“Mirëpo këta tre gjyqtarët kanë qenë tre gjyqtarë të njëjtë para dy viteve kur njëri prej të miturve ka qenë themi i shpallur fajtor dhe nuk është dërguar në institucionin për të mitur. Janë dhënë dënim me kusht dhe kjo ka qenë tentim vrasje apo vrasje në tentativë quhet në aspektin ligjor ku në njërën prej shkollave në Podujevë është therrur një fëmijë apo themi një djalë i ri cili po ashtu ka qenë nxënës i asaj shkolle. Kështu që ky trup gjykues po qe se di të vendoste në mënyrë të ngjashme siç ka vendosur ditën e sotme besoj që edhe Luli do ishte gjallë dhe besoj që edhe për atë të  do ishte më mirë sepse në qoftë se do të kishte qëndruar në institucionin përkatës për të mitur për disa vite nuk do të kishte mundësi të kryente vepra tjera penale ashtu siç është kjo që është vepra më e rendë penale e parashikuar me kodin penal e që është vrasje e rëndë”, ka thënë Gashi.

Më 20 janar të këtij viti, 18-vjeçari nga Podujeva kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në fillim, Prokuroria, rastin e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, por më pas është ricilësuar si “Vrasje e rëndë”.

Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar. Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.

Të ngjashme