Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur edhe njëherë për rastim e tenistit Novak Gjokoviq, i cili duhet të deportohet nga Australia për shkak se nuk është lejuar të hyjë në vend për faktin se nuk ka paraqitur dëshmi të vaksinimit, apo sipas autoriteteve australiane, nuk ka dhënë prova të tjera të vlefshme.
Vuçiq tha se sot ka folur për herë të dytë me Gjokoviqin dhe se tenisti serb “vetëm i kërkoi Serbisë që ta ndihmonjë të largohet nga hoteli i tmerrshëm ku aktualisht po qëndron me emigrantë”, transmeton Gazeta Express.
“Ajo që kemi mundur të bëjmë, fola për herë të parë mbrëmë, sot në mëngjes për herë të dytë, në përputhje me marrëveshjet që kemi, Ana Brnabiq po qëndron veç në telefon, duke bërë lutje dhe duke kërkuar vetëm një gjë, ta lirojnë Novakun sa më parë nga ai hotel famëkeq”, tha presidenti serb.
Vuçiqi tha se Serbia po kërkon që Gjokoviq të vendoset në shtëpinë që ai kishte marrë me qira.
Presidenti serb nuk heziton që edhe këtë çështje ta lidhë me politikë.
“Ajo që nuk është e drejtë është se ka një ndjekje të përgjithshme politike në të cilën marrin pjesë të gjithë, që nga kryeministri australian.”
“Kam biseduar disa herë me babanë e Novak Gjokoviqit, të gjithë po bëjmë gjithçka që mundemi, por kam frikë se kjo përmbysje politike do të vazhdojë që të dëshmojnë disa gjëra të tjera. Kur nuk mund ta mundësh dikë, atëherë merresh me gjëra të tilla”, tha Vuçiq.
Tenisti serb po mbahet në Park Hotel, një ndërtesë që përdoret nga Qeveria e Australisë për ndalimin e emigrantëve në vend, pasi atij iu refuzua hyrja në Australi të mërkurën.