Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duket se është duke vuajtur nga sëmundja e shpeshtë e harresës.
Ai në një intervistë për RTS ka gënjyer publikisht se e di përmend marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, që flasin për themelimin e Asociacioni i Komunave me shumicë serbe (ASK).
Sipas tij, në këto marrëveshje askund nuk figuron që ASK duhet të themelohet, bazuar në ligjet e Kosovës. Por, një shikim në nenet e para të Marrëveshjes së Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës edhe Serbisë e demantojnë pohimet e tij.
Në nenin 4 të Marrëveshjes së Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës edhe Serbisë thuhet se “Në përputhje me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejt të bashkëpunojnë në ushtrimin kolektiv të kompetencave të tyre përmes Bashkësisë/Asociacionit…”.
Vuçiq ka akuzuar Bashkimin Evropian, që përmes zëdhënëses Maja Kocijançiq ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Jam i befasuar me një deklaratë të tillë. 100 herë e kam thënë në Bruksel se Asociacioni themelohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Dua të na tregojnë se ku është e shkruar kjo gjë në marrëveshjen e Brukselit, unë e di përmendësh Marrëveshjen e Brukselit, ju mund ta gjeni atë në faqen e Qeverisë, të presidentit, të zyrës për Kosovë, një gjë e tillë nuk shkruhet askund”, tha presidenti serb për RTS mbrëmjen e së martës.
Por, duket se Vuçiq asnjëherë nuk i ka lexuar marrëveshjet që vet Serbia i ka nënshkruar, sidomos nenet e para të tyre ose mund të ketë kapluar sëmundja e harresës.
Në Parimet e Përgjithshme të ASK-së qysh në nenin e parë thuhet se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një bashkësi i komunave siç parashihet me marrëveshjen e parë, ligjin mbi ratifikimin e marrëveshjes së parë dhe ligjet e Kosovës.