Vuçiq: Heqja e reciprocitetit, vendim i mirë

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Vendimin për heqjen e masave të reciprocitetit e ka mirëpritur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar këtë si vendim të mirë.

“(Presidenti i Kosovës, Hashim) Thaçi e bëri këtë sepse donte të thoshte ‘nuk më intereson BE-ja, më intereson vetëm SHBA-ja’. Ne nuk jemi në të njëjtin pozicion. Ne mendojmë se (Kosova) është fëmija i tyre (SHBA-së). Nga ana tjetër, është një ide e mirë për të hequr të gjitha pengesat tregtare midis Prishtinës dhe Beogradit. Unë thjesht dua të theksoj se ne nuk jemi në të njëjtin pozicion”, tha Vuçiq gjatë një interviste dhënë sot për televizionin serb, Prva.

Qeveria e kaluar e Kosovës kishte hequr taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, dhe më 1 prill kishte vendosur masat e reciprocitetit ndaj produkteve nga Serbia.

Ky vendim nuk ishte mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pasi reciprociteti u pa si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Që atëherë, Beogradi ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e të gjitha pengesave të vendosura nga Prishtina zyrtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme