Vuçiq: Nuk duam luftë, por as s’do ta njohim Kosovën

Prishtinë | 09 Sht 2018 | 14:09 | Nga

(E plotësuar) Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë, ishin mesazhet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ua transmetoi qytetarëve serbë të tubuar në Mitrovicën Veriore.

Fjalimin e tij, Vuçiq e mbajti në përmbyllje të vizitës dyditore në pjesën veriore të Kosovës. Aty, u prit nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, ndërkohë që qyteti ishte përplot me fotografi e pankarta që i dëshironin mirëseardhje Vuçiqit.

“Ju them se ata që e thonë se unë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër”, tha Vuçiq. Sipas tij, krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore.

“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën”, tha Vuçiq, duke shtruar më pas pyetjet, sipas tij plotë dilema –“ku është kufiri sot?”.

“Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, nënvizoi ai.

Vuçiq: Do të ndërtojmë ura me shqiptarët, zërat për luftë janë përralla

Presidenti serb, Aleksanadar Vuçiq, në fjalimin e tij para qytetarëve serbë të Kosovës, në veri të Mitrovicës, ka thënë se nuk ka ardhur me asnjë plan për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por ka premtuar se do të angazhohet për një jetë më të mirë të serbëve në Kosovë.

Vuçiq i ka mohuar zërat se mund të ketë ndonjë konflikt mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Ketu para jush po thërras shumë hapur s’kemi asnjë plan te zgjidhjes dhe s’jemi afër saj. Nuk jam optimist rreth kësaj. Ka 1000 të tillë që thonë që Kosova ka shkuar poshtë, por për mua nuk është poshtë, është shumë lart”, tha ai

“Nuk dua t’i shaj shqiptarët. Nuk dua t’i shaj as ata të cilët më kanë kërcënuar mua dhe popullin tim këtu. Ideja është të ruajmë popullin tonë, institucionet dhe ideja është që të ndërtojmë ura me shqiptarët. Te tjerat na dërgojnë në katastrofë”, tha presidenti serb, raporton Telegrafi.

“Duhet të jetojmë pranë njëri- tjetrit dhe prandaj do të bisedojmë. Në të ardhmen duhet të arrijmë kompromis me shqiptarët. Zërat për luftë me njeri-tjetrin janë përralla”, tha ai.

“Dua diçka të kërkoj nga ju. I duheni Serbisë të qëndroni në pronat e juaja. Kjo rrugë është para nesh, që nënkupton ardhmërinë e fëmijëve tuaj”, tha ai.

Ai tha se ka ardhur këtu për një plan investiv në komunat e veriut.

“Do të investojmë në çdo vend ku serbët janë shumicë, por edhe atje ku janë pakicë. Ditët dhe javët në vijim do t’i kemi të gjitha investimet të cilat i premtova këtu”, tha ai.

Vuçiq tha se “kur të kemi diçka në të ardhmen për të thënë nuk do ta them në Beograd, por do të vij këtu tua them”.

Të ngjashme