Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar nga serbët e Kosovës që “ta ruajnë qetësinë”.
Duke folur, pas një takimi në Rashkë me politikanët serbë të Kosovë, Vuçiqi ka thënë se “Prishtina po merret me propagandë të ndyrë”.
“Mesazhi im për serbët është, të mos bien pre e provokimeve, paqja është në interesin tonë. Serbët të jenë të qetë, se ne do të luftojmë me të vërtetën”, ka thënë Vuçiq, raporton Tanjug
“Ne jemi të përgjegjshëm, por ajo që nuk e pranojmë dot është që ne të fajësohemi për çdo gjë”, ka thënë Vuçiq.
Rreth 100 serbë mblidhen te muri në Mitrovicë
Derisa po zhvillohej takimi në Rashkë, rreth 100 serbë janë mbledhur në afërsi të murit ilegal në veri të Mitrovicës.
Kjo protestë ka nisur pas një lajmi të marrë nga serbët se muri do të shembet gjatë natës. Serbët kanë thënë se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë murit për t’u siguruar se nuk do të prishet.
Policia e Kosovës ka reaguar ndaj “një numri shkrimesh në mediat serbe” që kanë publikuar njoftimet për, siç thuhet, “shtimin e pranisë dhe të aktiviteteve të Policisë në lokacione të caktuara” që ka shkaktuar “mbledhjen e rreth 200 personave në rrugën” Mbreti Petër” në Mitrovicë”.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hahsim Thaçi, nëpërmes një deklarate për medie, ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin “me fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë, e cila vazhdon të ndjell frikë dhe urrejtje ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës”.