Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbinë e pret një periudhë e vështirë. Ai ka shtuar se pret që të ketë një presion të përbashkët nga BE-ja dhe SHBA-ja për ta njohur Kosovën.
Vuçiq ka thënë se është me rëndësi të kuptohet pozita e rëndë në të cilën gjendet Serbia, veçanërisht pas ndryshimit të administratës amerikane.
“Presim një presion të përbashkët nga BE-ja dhe SHBA-ja mbi vendin tonë për të përmbushur rreth, siç thonë amerikanët, një Kosove të njohur, pasi njohja e Beogradit nga Kosova nuk do të thotë asgjë për ne dhe është pak qesharake. Në të njëjtën kohë, BE-ja do ta përdorë një fjalor më ndryshe, por shkon drejt të njëjtit qëllim. Ne na pret një periudhë e vështirë”, ka thënë Vuçiq në konferencë për media, raporton Tanjug.
Vuçiq ka shtuar se do të bisedojë me përfaqësuesin e lartë të BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, në fundjavë dhe do t’i thotë se çfarë mundet Serbia e çfarë nuk do të bëjë me asnjë çmim.
Ai ka folur edhe për zgjedhjet e mbajtura në Kosovë më 14 shkurt.
“Analizuam zgjedhjet e fundit në Kosovë e Metohi. Mes popullatës serbe u konstatua mbështetje absolute për Listën Serbe. Ajo është më e madhja në veri dhe në përputhje me këtë do të marrim masa për t’iu kundërvënë dhunës së subjekteve politike shqiptare”, ka thënë Vuçiq.