Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjendja e serbëve në Kosovë po përkeqësohet, sepse, sipas tij, “Prishtina sipas të gjitha gjasave deri në vitin e ri nuk do ta heqë tarifën për mallrat serbe”.
Por, Vuçiqi tha se Serbia në të gjitha mënyrat do ta ndihmojë popullin e saj në Kosovë.
Në një intervistë për TV Pink, ai tha se gjatë vitit të ardhshëm do të rrisë ndihmën për serbët e Kosovës, në mënyrë që të ketë më shumë fëmijë serbë.
Duke folur për letrën që e ka dërguar presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Vuçiqi tha se përmes saj, presidenti Trump ka shfaqur dëshirën që problemi mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet.
Sipas tij, presidenti amerikan, për herë të parë ka përmendur se po shikohet drejt një zgjidhje kompromisi.
Presidenti serb tha se e vetmja pjesë në letër për të cilën ai mendon se nuk është e vërtetë, është pjesa ku thuhet se “Prishtina dhe Beogradi janë afër një marrëveshje”.
“Nuk janë afër marrëveshjes”, tha Vuçiqi.
Vuçiqi tha të ketë pranuar të dhënat e fundit të cilat partinë e tij e vënë në vendin e parë si më të besueshmen, por tha se është i gatshëm të humb të gjitha këto “vetëm që të siguroj paqe dhe besim për fëmijët dhe kompromis për Kosovën”.
“Të vetmen zgjidhje e shoh në dialog (me Prishtinën). Më mirë që ne të gjejmë zgjidhje, sesa një zgjidhje katastrofike të na gjejë ne”, tha ai.
Duke folur për ekipin e ri dialogues shtetëror të Kosovës dhe për mundësinë e vazhdimit të dialogut, Vuçiqi tha se kusht për këtë është heqja e taksës.
“Vetëm le ta heqin taksën e pastaj le ta dërgojnë kë të duan për dialog”, tha Vuçiqi.