Sot ka filluar aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”. Grumbullimi i vullnetarëve të Komunës së Prishtinës u bë pranë Hotelit “Grand”, ku vullnetarë të shumtë të moshave të ndryshme janë mbledhur për të vazhduar më pas në pjesët e caktuara të Prishtinës për të mbledhur mbeturinat.
Organizatori i aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, Besnik Shabiu nga “Let’s Do It Kosova” tha se në të gjitha sheshet e Kosovës po bëhet grumbullimi i vullnetarëve.
“Sot jemi mbledhur në sheshin e Prishtinës dhe në të njëjtën kohë në të gjitha sheshet e Kosovës po bëhet grumbullimi i vullnetarëve dhe më pas për tu shpërndarë në lokacione të cilat janë përcaktuar për pastrim”, tregoi Shabiu.
“15 shtatori është një nga ditët historike për Kosovën sepse shpresojmë që qytetarët ta kalojnë provimin dhe Kosovës do i ndryshojmë pamjen që ka pasur deri sot”, tha ai.
“Pamjet jo të mira dhe me mbeturina na kanë detyruar të marrim aksionin pastrimi për vite me radhë mirëpo aksion si ky nuk ka pas, në kuadër të saj po ashtu është dita e pastrimit që bëhet në gjithë botën”, tha ai.
“Ky mobilizim qe ka filluar nga mëngjesi shpresojmë të mbushet me vullnetarë dhe më pas do largohemi në lokacionet tjera që të japim mesazh për të gjithë që vendi ynë nuk e meriton të ketë pamje qe ka sot”, tha ai.
“Hapja zyrtare bëhet te Hotel Gardeni do ketë ceremoni, në Prishtinë, janë 16 loakcione për datën 15, ndërsa hotel Garden dhe zona industriale do pastrohen me eskavator dhe pjesët tjera me vullnetare si hyrja e Gërmisë, kampusi universitar, parkingu afër stadiumit të futbollit e shumë tjera.”
Jonuz Salihaj, drejtor i arsimit në Komunën e Prishtinës gjithashtu vullnetar i aksionit “ta pastrojmë Kosovën” tha se Kosova do të hyjë në dimër duke qenë e pastër.
“Sot fillon aksioni dita e parë fillestare në këtë 3 mujorin e parë që ka me qenë pastrimi i Kosovës për të hyrë në dimër Kosova e pastër, kjo është një iniciativë e kryeministrit të Kosovës dhe këshilltarëve të tij që ne si Drejtori e Arsimit e Prishtinës dhe shkollat e Prishtinës e mbështesim, dhe kemi dalur sot, ju kemi përgjigjur thirrjes së tyre dhe me vullnet kemi dalur ta pastrojmë Kosovën”, tha Salihaj.
“Kosova vuan nga mbeturinat, një Kosovë e tillë nuk ka gjasa të hyjë në Bashkimin Evropian ku ne po synojmë. Kemi lumenj të ndotur, kemi ambiente të ndotura me gjithë këtë vend të mirë që kemi sot jemi dal ta pastrojmë, ta japim një argat për Kosovën dhe jo vetëm sot, por në këta 3 muajt e ardhshëm të hyjnë në dimër me një Kosovë të pastër siç i ka hije një vendi i cili është kandidat për në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.