Komuna e Vushtrrisë ka bërë sot përurimin zyrtar të sporteleve për diasporën, të cilat do të jenë në funksion gjatë muajve të verës për t’u ofruar shërbime të lehtësuara bashkatdhetarëve, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i komunës, Ferit Idrizi, deklaroi se ky aktivitet është tashmë bërë një traditë për komunën dhe synon ofrimin e sa më shumë shërbimeve për qytetarët që vijnë nga mërgata.
“Ky aktivitet në komunën tonë është bërë tradicional. Jemi këtu bashkë me drejtoreshën e Administratës Publike dhe drejtoreshën e Diasporës. Sot kemi filluar hapjen e sporteleve të cilët do të jenë në shërbim të bashkatdhetarëve. Do të jetë një muaj me shumë aktivitete, do të jetë një muaj në shërbim të bashkatdhetarëve, duke përfshirë edhe shërbimet e ditëve të shtunave, por po ashtu edhe, sikurse vitet e mëparshme, ju kemi rezervuar edhe parkingjet për automjete,” tha Idrizi.
Ndërkohë, drejtoresha e Administratës në Komunën e Vushtrrisë, Hava Rruka-Mlinaku, bëri të ditur se zyret do të jenë funksionale për të gjitha shërbimet administrative gjatë gjithë periudhës së verës, me orar të zgjatur dhe pa pauza gjatë ditës.
“Ne si Drejtori e Administratës edhe këtë vit, me kërkesën e kryetarit të komunës, do të punojmë nga sot, 5 korrik, deri më 31 gusht, ku do t’i ofrojmë të gjitha shërbimet të cilat i ofron drejtoria për administratë, me qëllimin e vetëm që t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve sa më të lehta. Gjatë ditëve të punës do të punohet edhe gjatë kohës së pauzës. Do të jenë 8 orë të plota të punës,” theksoi ajo.