VV: Dhënia e lejes për Vuçiqin ia rrit Serbisë pretendimet

Prishtinë | 09 Sht 2018 | 16:01 | Nga

Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë treguar seriozitet sa herë që udhëheqësit serbë paralajmërojnë vizita në Kosovë, thotë Vetëvendosje, në reagimin e saj në lidhje me vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kosovë.

Që prej dhënies së lejes për presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pushteti në Kosovë po tregon se është i gatshëm të lëshojë pe dhe të bëjë kompromise me Serbinë që i paguan shteti e populli ynë, thekson ky subjekt politik nëpërmes një komunikate shtypi.

“Kjo leje është e paligjshme, është jolegjitime, e dëmshme për të tashmen dhe e rrezikshme për të ardhmen”.

Sipas VV-së, vizita e presidentit të Serbisë në Kosovë, qëndrimet dhe veprimet e tij, janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe Republikës sonë. “Ato janë shkelje e integritetit territorial dhe institucional të vendit tonë. Por, në të njëjtën kohë, janë edhe kurorëzim i Zajednicës Thaçi-Vuçiq. Aq shumë e ka relativizuar, deri në kontestim, shtetësinë e vendit tonë presidenti aktual Thaçi, saqë e ka krijuar një terren të jashtëzakonsëm për Serbinë këtu. Andaj, sot Vuçiqi mund ta vizitojë Ujmanin, mund ta kujtojë madje në fjalën e tij edhe Millosheviqin, ta përmendë Serbinë e Madhe dhe të zotohet se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Krejt kjo, falë pushtetit që ia hap udhën përmes negociatave pa kushte, pa parime dhe pa mandat. Hashim Thaçi e ka bërë të pranueshëm mospranimin e Kosovës andaj sot bëhen me lehtësi deklarata kundër nesh”.

“Andaj edhe ndodhin protesta në kundërshim të kësaj vizite. Këto protesta nuk i shkakton vetëm indinjimi ndaj Vuçiqit, por i prodhon edhe pazotësia e institucioneve të Kosovës”.

“Kësisoj, Hashim Thaçit nuk i duhen prova të reja se duke shpërfillur Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk ka fituar asgjë, pos shfaqjen e pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Kosova ka nevojë për udhëheqës të tjerë, të dinjitetshëm, që ia mbrojnë integritetin dhe ruajnë dinjitetin”, përfundon komunikata e partisë së Albin Kurtit.

Të ngjashme