VV: Fushë-Kosova anashkaloi 4 nga 9 objektivat e Qarkores buxhetore

Fushë-Kosovë | 17 Tet 2020 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje konsiderojnë se buxheti për vitin 2021 nuk parasheh zhvillim ekonomik në Fushë-Kosovë.

Përveç kësaj, ata thonë se në planifikimet buxhetore trevjeçare 2021- 2023 nuk janë paraparë mjete për katër nga nëntë objektivat e Qarkores së Ministrisë së Financave, shkruan KOHA.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra, thotë se Komuna e Fushë-Kosovës nuk ka paraparë as mjete për pandeminë COVID-19, edhe pse thotë se ekspertët parashohin që virusi do të vazhdojë të jetë aktiv edhe më tej.

“Kornizat buxhetore planifikohen në bazë të objektivave që përcakton Komuna, objektiva këto që asnjëherë nuk janë arritur, pasi që nuk përkojnë me buxhetin që është implementuar deri më tani, dhe e njëjta vlen edhe me buxhetin që u votua në Kuvend. Katër nga nëntë objektivat sa janë gjithsej nuk janë përfshirë në asnjë projekt në buxhetin e planifikuar 2021-2023”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto objektiva janë: “Mbrojtja, përmirësimi i ambientit dhe infrastrukturës së qytetit, që siç thotë ai, asnjëherë nuk është arritur dhe se problemet dhe kërkesat kryesore të qytetarëve janë pikërisht në këtë fushë; Zhvillimi i fushës së kulturës, rinisë dhe sportit. Edhe ky një ndër objektivat kryesore, e që as ky objektiv nuk u arrit pasi që gjendja reale është në një nivel shumë të ulët. Momentalisht kemi një shtëpi të kulturës të degraduar, asnjë aktivitet në fushën e artit, asnjë investim serioz në infrastrukturë, madje as në stadiumin e qytetit, asnjë projekt i mirëfilltë për të rini, edhe pse struktura demografike e popullsisë pothuajse gjysma janë e moshës së re”, ka theksuar këshilltari i Vetëvendosjes.

Hajra ka thënë se Komuna nuk i ka marrë parasysh as propozimet e tyre për ndërtimin e një qendre sociale/ inovative për rini.

Ai po ashtu e ka përmendur objektivin e tretë: “Përkrahja e të rinjve dhe ulja e papunësisë. Sa i përket këtij objektivi, është bërë shumë pak, për të mos thënë asgjë, pasi që disa militantë të LDK-së janë sistemuar me disa kontrata të përkohshme; Zhvillimi i turizmit kulturor dhe malor. Ne nuk e dimë që deri më sot është implementuar ndonjë projekt në këto fusha, por as nuk është paraparë ndonjë projekt i ngjashëm edhe në Projekt-buxhetin 2021-2023. Pra, kjo lë të kuptohet se objektivat janë vetëm sa për të qenë aty dhe jo për t’u arritur, pasi që ky buxhet nuk përkon më këto objektiva”.

Por, këto i kanë mohuar zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës. Zëdhënësi Ali Topalli i ka treguar edhe projektet që i kanë paraparë në dy prej katër objektivave.

Të ngjashme