Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se as mazhoranca nuk ka pasur konsensus lidhur me amendamentin 5 të propozuar nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, që mundëson harmonizimin dhe funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizime. Sipas tij, edhe vet Qeveria është kundër këtij amendamenti, raporton Ekonomia Online.
“Sporti është lenë në mëshirën e sukseseve individuale. Kur erdhi ky rast krejt çka bëri një pjesë e mazhorancës është me fajësu opozitën se gjendja e sportit është e keqe në Kosovë. Kjo ka qenë e neveritshme në formë të propagandës është zhvilluar nga një pjesë e mazhorancës, se kush qenka kundër këtij amendamenti është kundër sportit. Është e qartë se për ketë amendament nuk ka pasë konsensus as vet mazhoranca, unë mendoj se Qeveria është kundër këtij amendamenti. Nëse e marrim si qëndrim zyrtar të Qeverisë dhe opinionin e atij ministri që është kompetent ai është Bedri Hamza që është kundër këtij ndryshimi”, tha ai.
Ai tha se nëse votohet ky amendament do të bëhen keqpërdorime.
Konjufca tha se edhe këtu po bëhet propagandë duke e thjeshtësuar këtë Ligji, njësoj siç u bë edhe me Gjykatën Speciale.
Përveç keqpërdorimeve, frikësohem se mas 3 a 4 vjetëve klubet tona nuk kanë me pas emrin ma Llapi e Drita, por KP Devolli, Z-Mobile edhe ETC, kjo ka me ndodh shumë shpejtë në Kosovë dhe këto ekipe kanë me fillu me i fitu ligat, qet koncept po doni me sjellë në Kosovë. Krejt këtë problematikë duhet me ardh turp që e keni thjeshtësuar, se sportistët nuk kanë kohë me këqyr, sportistëve me propagandë me idenë se ma shumë parë në sport do të ketë, ma mirë. Krejt i shtyn do procese, edhe Gjykatën Speciale qeshtu me bo, me argumentu që jemi të pastër e pastaj vet dojshit me hjek, nuk po me pëlqen kjo metodë që po i thjeshtësoni problemet me propagandë se sporti ka me lulëzu. Përgjegjësi për keqpërdorime nuk do të marrim, për mekanizmat për shpëlarje parash”.
Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, tha se MKRS-ja ka edhe një rregullore që buron nga ky ligj, që e shtrin më tutje mënyrën se si duhet të bëhen sponsorizimet është rregullorja që garanton siguri
“Ligji është miratuar në dhjetor 2016. Ju kam tërheq vërejtjen për këtë problem sepse ligji ne pikën 1 neni 12, ky ligj nuk mund të rregullojë çështjet. MKRS ka edhe një rregullore që buron nga ky ligj, që e shtrin më tutje mënyrën se si duhet të bëhen sponsorizimet është rregullorja që garanton siguri. Ne po bisedojmë se cila prej metodave është më e favorshme. Kemi dy amendamente dhe amendamenti i Bekim Haxhiut është në përputhje me Ligjin për Sponsorizime”, tha Shala.
Në emër të AAK-së foli Blerim Kuqi. Ai tha se kjo parti e mbështet këtë Ligj.
“Ne si grup parlamentar do ta votojmë dhe do të punojmë për zbatimin e këtij Ligji. Nëse ka nevojë do të propozoj plotësim ndryshim nëse ligji hasë probleme të zbatimit. Amendamenti i Haxhiut që është neni 11 me dy paragrafë. Në dy këto paragrafe dyfishohen dhe komplikohen çështjet të cilat e komplikojnë zbatimin e ligjit. Ne si grup do ta votojmë amendamentin e Haxhiut me kusht që duhet monitorim i veçantë i ligjit dhe nëse hasë në probleme do ta iniciojmë zbatimin e ligjit.
Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, pati kritika se pse këto cështje nuk [po diskutohen në seanca të rregullta.
“Sporti dhe kultura janë fusha ku shteti duhet të ketë kujdes pak. Pse këto vërejtje nuk janë diskutuar dhe nuk po diskutohen në seanca të rregullta. Pse u dashka për një ligj që mund të debatohet e votohet në seancë ë rregullt. Ky ligj është hedhur tre herë në votim në seancat e kaluara dhe nuk e kanë kaluar. Këto seancat e jashtëzakonshme kryetar e kryesi po na pamundësojnë ne deputetëve me kry punë të tjera. Të paktën mua më janë grumbulluar 30 pyetje parlamentare, nuk po mundemi me e pyet Qeverinë sepse Kuvendi është vënë në diskutim të çështjeve edhe më të zakonshme të mundshme. Edhe ne sot do ta mbështesim amendamentin e z. Haxhiu”, tha Pantina.
Deputeti i Nisma-s, Bilall Sherifi, tha se duhet mbështetur sportistët dhe të mos i pengojmë ata.
“Pse të votojmë diçka që u siguron 30 milionë kur e kanë 300 milionë. Pse e kërkojnë 30 milionë sepse ato 300 milionë janë veresi ndërsa këta 30 milionë këta e dinë se ku i marrin. Kam një arsye shtesë që të votohet ky amendament. Është koha që sportistët që të gjithë kemi thënë se kanë talent, por na ka pengu Serbia së paku ne të mos i pengojmë. Të lejojmë sponsorizimin. 30 milionë euro janë një pikë në deti për zhvillimin e sportit”, tha ai, raporton EO.