VV-ja linçon media, kësaj here Kurti përdor Zybën

Prishtinë | 05 Tet 2022 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Rënia deri në 15 % në sondazhe pas një viti e gjysmë qeverisje dhe Kosova e shndërruar në një mal me probleme dhe e zhytur në krizë, ka bërë Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Kurti të hidhet në terrenin në të cilin vepron më së miri, atë të propagandës dhe linçit, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga realiteti. Në këtë mes s’po kursejnë askënd, as mediat e gazetarët.

Me një fushatë të mbushur plotë premtime për ndryshim me kartën e të pakorruptuarve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë pushtetin me mbi 50 % të votave në vitin 2021. Megjithatë pas një viti e gjysmë asgjë s’po shkon mirë. Shëndetësia ka stagnuar totalisht me profesionistë shëndetësor që po largohen nga vendi dhe me një ministër të sjellë nga Amerika që ka qëlluar të jetë merakli i udhëtimeve.

Më mirë s’është as arsimi. Viti i ri shkollor ka filluar me një muaj vonesë si rezultat i grevës së arsimtarëve. Pas përplasjes të shumta Kurti-Jashraj, SBASHK-u lëshoi pe duke pezulluar grevën. Megjithatë tashmë duket se Kurti është në kërkim të një krize të re, meqë kanë vendosur të mos ua procedojnë pagat arsimtarëve grevistë.

Gjendjes në shëndetësi dhe arsim, i shtohet edhe kriza socio-ekonomike në të cilën gjendet vendi, me inflacionin që po rritet dita ditës e që po tkurr çdo ditë e më tepër xhepat e qytetarëve. Se Kosovën e presin ditë të këqija e ka konfirmuar edhe raporti i Bankës Botërore.

Përveç gjërave elementare që janë shtrenjtuar, janë shtrenjtuar edhe karburantet.

Dimri që po vjen ndërkohë pritet të jetë një nga më të vështirët që nga paslufta. Nga KEDS kanë thënë që qytetarët të mos e mendojnë si opsion ngrohjen me rrymë, meqë përveç çmimit të lartë me shumë gjasë do të ketë edhe mungesa, si rezultat i krizës që ka kapluar gjithë rajonin.

Duke parë që Qeverisë Kurti II situata i ka dalë pothuajse jashtë kontrollit, Lëvizja Vetëvendosje është vënë në veprim me video propaganduese duke sulmuar opozitën dhe ata që kanë qeverisur me vendin përgjatë 20 viteve të kaluara. Ndaj një videoje të tillë ka pasur reagime të shumta, meqë disa prej protagonistëve janë edhe në Hagë duke u gjykuar për pretendimet e Prokurorisë Speciale të Hagës për krime lufte.

Pas opozitës, radha e linçimit për mediat. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka publikuar në faqen e tij në “facebook” një video në të cilën janë paraqitur dy sekuenca të ndryshme. Zyba një video të tillë në të cilën protagonistë janë drejtori i T7, Leonard Kërquku dhe kryeredaktori i T7 Arsim Lani e ka publikuar në vazhdën e fushatës dhe propagandës së nisur.

“E njëjta luftë e UÇK-së, i njëjti medium”, ka shkruar deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, në një video e cila është e ndarë në dy pjesë, e në të cilën flitet për veprat e komandantëve të UÇK-së gjatë luftës dhe për atë se si kanë qeverisur me vendin pas luftës.

Ndaj sulmit ka reaguar drejtori i Përgjithshëm i T7 dhe Gazetës Express.

“Per salihat e VV’se i kom veç dy tri fjale;

Une jam krenar per dy dokumentaret e mi “Shtabi i Milionereve” te transmetuar ne vitin 2016 kur keta komandanta ishin ne kulmin e pushtetit, kur e kishin policine e vet, bandat e veta e gjithçka tjeter. Une dhe Gazeta Express ua patem çu edhe dronin permbi kulma te shtepijave. As qe u pata lodh per ta (edhe kur me eshte dashur edhe mbrojtja policore), as kur zagaret e tyre me sulmonin edhe ne rruge si qente endacake, as kur çiken m’u pat dasht me ndale prej kopshtit” ka shkruar Kerquki në postimin e tij.

Të ngjashme