VV kërkon përgjegjësi për vdekjet në QKUK

Prishtinë | 15 Sht 2017 | 13:34 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje thotë se “faktori njeri” është përgjegjës për rastet e vdekjeve të fundit të pacienteve të shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha në një konferencë shtypi se procedurat e prokurimit janë ndër faktorët e këtyre vdekjeve, pasi që kompania e cila ka furnizuar me gaz nuk ka qenë e licencuar, raporton Ekonomia Online.

“Përgjegjësia bie në të gjithë sektorin e shëndetësisë, nga menaxherët deri te ministri…Kërkojmë që të zbardhen këto raste sa ma shpejtë dhe të gjithë të përgjigjen para drejtësisë”, tha Mulhaxha-Kollçaku, e cila me profesion është mjeke.

Këto vdekje, sipas saj, kanë ndodhur si rezultat i futjes së gazit në sistemin e oksigjenit. “Kur gazi hyn në sistem, mund të ketë edhe vdekje tjera të shumta dhe jo vetëm vdekje sporadike”, paralajmëroi ajo.

Deputetja e VV-së e quajti të ngutshme deklaratën e drejtorit të QKUK-së se është normale që në spitale ndodhin vdekje. “Por ata persona kanë vdekur nga helmimi i gazit”.

“Ne kërkojmë që të zbardhet sa më shpejt ky rast…Kjo kompani, e cila është e palicencuar, e njëjta po e furnizon edhe spitalin e Gjilanit”.

Edhe Sami Kurteshi ka thënë se vdekjet në QKUK kanë ndodhur “për shkak të neglizhencës e cila ka arritur në nivelin e krimit”.

“Duke nisur nga tenderi – si ka mundësi që një kompani e palicencuar për këtë çështje ta furnizojë me gaz këtë institucion”, u shpreh ai.

Të ngjashme