Pas reagimit të PDK-së e cila e ka quajtur kërcënim përpjekjet e disa protestuesve të Vetëvendosjes që të shkojnë tek shtëpia e Kadri Veselit në Mitrovicë, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
PDK në komunikatën e saj ka thënë se sjelljet e protestuesve në Mitrovicë janë sjellje vandale.
Ndërsa VV në reagimin e saj PDK-në e ka quajtur parti të krimit.
Sipas VV-së, PDK i ka lutur qytetarët t`i besojnë institucioneve sepse e di që sot askush nuk beson në shtetin e kapur nga krimi.
Komunikata e Vetëvendosjes:
Partia që udhëhiqet nga kokat e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, së cilës përditë po i dalin përgjime që dëshmojnë kriminalitetin e saj, sot paska reaguar ndaj aktivistëve paqësorë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në komunikatën e saj PDK, udhëheqësit e së cilës po e falin tokën e Kosovës, paska shprehur shqetësim për pronat private të tyre. Sikur ky subjekt të shqetësohej kështu për territorin e Republikës sonë, Kosova sot do të ishte në gjendje shumë më të mirë.
Në fund PDK paska ftuar organet e sigurisë, të cilat janë nën kontrollin e po të njëjtëve kriminelë që e udhëheqin këtë subjekt, që të shtojnë shtypjen ndaj aktivistëve tanë dhe qytetarëve të Kosovës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i sheh këto reagime si panikë e pushtetit në prag të rënies së tij dhe mendojmë që PDK ka të drejtë të ketë panikë. Ajo po i lut qytetarët që të kenë besim në institucione pikërisht ngase e di që askush sot nuk i beson shtetit të kapur nga krimi.
Shumë shpejt qytetarët do të shprehin mosbesimin e tyre në këtë qeveri përmes protestave e demonstratave masive dhe do të përfundojë periudha e qeverisjes nga krimi i organizuar.