VV thotë se po diskriminohet në Obiliq

Obiliq | 24 Jan 2018 | 14:46 | Nga

Vetëvendosje në Obiliq thotë se në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të kësaj komune (të cilën ajo e quan Kastriot), e cila ishte e thirrur që ndër të tjera të zgjidheshin edhe komitetet obligative, komitete këto që sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimit Administrativ UA 03/2014 duhet të përfaqësojnë të gjitha grupet parlamentare.

Sipas VV-së, me këtë rast ka pasur diskriminim dhe anashkalim të këtij subjekti politik.

“Në Komitetin për Politikë dhe Financa u arrit përfaqësimi i të gjitha partive politike por u refuzua kategorikisht përfaqësimi i Lëvizjes VV. Gjithashtu në Komitetin për Komunitete të gjitha partitë politike u përfaqësuan me anëtarët e tyre, por anëtarët e LVV-së u refuzuan”, thuhet në një njoftim shtypi.

“Kryetari i Grupit parlamentar të LVV-së në Kastriot, Aziz Bici, tentoi disa herë të arsyetoj nevojën e përfaqësimit dhe shkeljet ligjore që kryesuesi i Kuvendit Komunal po i bënte, por ai vazhdimisht u injorua. Gjithashtu Bici kërkoi diskutim në lidhje me pikën e rendit të ditës, ku kryetari i Komunës do të emëronte nënkryetarin për komunitete nga radhët e pakicës serbe. Bici kërkoi shpjegim duke arsyetuar që sipas statutit të Komunës, nënkryetari për komunitete zgjidhet vetëm atëherë kur nr.i pakicave arrin më tepër se 10% të numrit total të banorëve, kërkesë kjo që gjithashtu nuk u hodh në diskutim. Vlen të përmendet që sipas statistikave në komunën e Kastriotit jetojnë më pakë se 9% e popullsisë joshumicë”.

Grupi parlamentar i LVV-së e konsideron veten si e vetmja opozitë dhe zëri i vetëm i qytetarëve të Obiliqit.

“Lëvizja VV në Kastriot do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjore dhe nuk do të lejojë që këto padrejtësi të ndodhin. Përkundër të gjitha këtyre sfidave Grupi parlamentar i Lëvizjes VV në Kastriot do të qëndrojë dhe do të kundërshtojë me çdo kusht padrejtësitë, manipulimet dhe të gjitha tendencat që nëpërkëmbin qytetarin”, thekson ky subjekt politik opozitar.

Të ngjashme