Boksieri amerikan Deontay Wilder ia ka bërë me dije Tyson Furyt se planifikon të aktivizojë klauzolën për një meç të tretë.
Lajmin e ka konfirmuar promotori britanik Frank Warren, shkruan “The Sun” të hënën, transmeton Koha.net.
Wilder humbi titullin WBC në peshën e rëndë në boks, duke pësuar të shtunën mbrëma në Las Vegas me nokaut teknik në raundin e shtatë. Ishte përballja e dytë mes tyre, pasi ajo e para në vitin 2018 kishte përfunduar me barazim.
Në kontratën e meçit ishte edhe klauzola për një përballje të tretë mes tyre.
Menaxheri i Wilderit, Shelly Finkel ka telefonuar Warrenin për t’ia bërë me dije se duan meçin e tretë.
“Shelly Finkel më ka telefonuar menjëherë në mëngjes dhe më ka thënë se me gjasë të madhe do të aktivizohet klauzola për rimeç të menjëhershëm”, ka thënë promotori britanik i Furyt, Frank Warren.