Në periudhën para meçit, kampioni i botës në peshën e rëndë, Deontay Wilder, kishte treguar se sa shumë dëshiron të lëndojë sfiduesin Dominic Breazeale. Wilder madje kishte thënë se mund të vrasë rivalin e tij në ring, pasi është ligjërisht e lejuar.
Disa ditë para meçit, ai kishte thënë se boksi është sporti i vetëm ku mund të vrasësh dikë dhe të paguhesh për këtë. Dhe se dëshiron ta shfrytëzojë këtë të drejtë, shkruan sot Koha Ditore.
Derisa Wilder nuk shkaktoi këtë lloj dëmi, ai prapë dërrmoi Breazealen me një të djathtë të fuqishme në raundin e parë, duke shënuar fitore me ndërprerje para mbi 13 mijë shikuesve në “Barclays Center” në Brooklyn.
Wilder, një prej boksierëve me goditjen më të fortë në histori, ka mbrojtur titullin WBC për herë të nëntë, pasi realizoi një prej nokautëve më spektakolar në një karrierë të mbushur me të tillë. Padyshim do të jetë kandidat për nokaut të vitit.