Zemaj: Tre persona në Kosovë rezultojnë pozitivë me variantin e ri të Covid-19

Prishtinë | 29 Jan 2021 | 15:19 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka konfirmuar se tri nga 30 mostrat e dërguara në Berlin të Gjermanisë për variantin e ri të Covid-19, ka rezultuar pozitive, raporton Ekonomia Online.

Zemaj ka thënë se testimi i këtyre mostrave është bërë në Britani, ku edhe ka folur për situatën e përgjithshme me pandeminë, në një konferencë për medie.

“Situata është e qetë bazuar me numrin e rasteve” tha Zemaj.

Tutje ai tha që nga zona e kuqe dalin, Podujeva, Mitrovica, Gjilani, ndërsa në zonën e kuqe mbesin: Prishtina dhe Fushë- Kosova.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se Kosova së shpejti do të funksionalizojë aparaturën për testimet e këtyre rasteve, duke u shprehur se rastet janë nënkontroll.

“Jemi kompletuar  me aparatura për variantin e ri të cilat tash jemi në prova dhe bashkë me përfaqësuesit e laboratorit gjerman do t’i funksionalizojmë, pasi janë shumë të ndjeshme.

“Varianti i ri i Covid-19, momentalisht është në kontroll. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe s’ka asnjë vonesë në testimin e këtyre rasteve”, tha ai .

Ramadani ka thënë se do të jenë transparent sa i përket këtij varianti.

Ndërsa, ministri në detyrë Zemaj, tha se pavarësisht shfaqjes së këtyre rasteve, masat mbesin ato aktuale duke bërë thirrje për kujdes.

Fjalimi i plotë i Zemajt:

Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë dhe përcjelljen e rregullt të aktiviteteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të institucioneve të tjera shëndetësore gjatë kësaj kohe të ballafaqimit me pandeminë e Coronavirusit, përkatësisht infeksionin COVID-19.

Ashtu siç ju kemi komunikuar në vazhdimësi me transparencë rrjedhën e situatës epidemiologjike në vend përgjatë gjithë kohës, ju kemi thirrur sot që të ju njoftojmë më të rejat rreth kësaj situate.

Siç e dini, ditëve të kaluara, IKSHPK ka dërguar 30 mostra për testim në Institutin e Virologjise Charite në Berlin të Gjermanisë, me qëllim të hulumtimit rreth pranisë së varianteve të reja të virusit SARS-COV-2 në Kosovë, pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të botës.

Nga rezultatet e këtyre analizave të kryera në Berlin, tri (3) mostra kanë rezultuar pozitiv në testimin preliminar si SARS-CoV-2 me variantin B.1.1.7.

Ky variant është raportuar për herë të parë më 14 dhjetor 2020 në Mbretërinë e Bashkuar.

Siç e dini, me raportimin e këtij variant në Angli, Kosova ka pezulluar fluturimet ajrore me këtë shtet, pra nuk ka pasur fluturime Prishtinë-Londër dhe anasjelltas.

Gjithashtu, më lejoni të theksoj se situate epidemiologjike në Kosovë është nën kontroll dhe se, si rezultat i rënies së numrit të të infektuarve në disa komuna, sot kemi kategorizimin e ri të komunave bazuar në numrin e rasteve të reja brenda 7 ditësh në 100. 000 banorë.

Kështu, si rezultat i situatës më të mirë epidemiologjike, nga  zona e kuqe në të verdhën dalin komunat: Podujeva, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Zveçani, dhe Gjilani.

Në zonën e kuqe mbesin edhe më tej Prishtina dhe Fushë –Kosova.

Shpresojmë që edhe këto së shpejti të kalojnë nga zona e kuqe në zonat e tjera.

Tabelën me të gjitha komunat do ta merrni pas kësaj konference përmes njoftimit për media.

Ndërkohë, i bëjmë thirrje popullatës që të vazhdojë me zbatimin e masave në fuqi si kusht për të mbajtur situatën nën kontroll dhe rastet e infeksioneve dhe të vdekjeve nga më të voglat në rajon dhe më gjerë.

Më shumë informacione rreth situatës epidemiologjike dhe rreth rasteve të detektuara me variantin e ri, ju informon drejtori i IKSHPK-së, Profesori Naser Ramadani.

Të ngjashme