Së paku dy persona janë shoqëruar në stacion policor, pas një zënke që ka ndodhur në parkingun e Hotelit “Grand” në Prishtinë.
Dëshmitarët kanë treguar për Ekonomia Online se një veturë e tipit BMW, me targa 01 (rajoni i Prishtinës) ka hyrë me shpejtësi në parkingun e improvizuar para hotelit “Grand”, në qendër të Prishtinës.
Me këtë rast, një grup familjarësh të cilët janë ndier të rrezikuar janë fjalosur me shoferin. Më pas njëri prej tyre e ka goditur dhe thyer xhamin.
Në vendin e ngjarjes ka dalë policia, e cila ka shoqëruar dy personat për t’i intervistuar.
Në fotografitë e dërguara redaksisë nga një lexues, shihet vetura e mbetur në vend të ngjarjes, si dhe njerëzit që janë mbledhur për të soditur zënkën, e cila ka përfunduar vetëm me dëmtim të veturës.